Ka hyrë në histori të futbollit gjakovar si një prej kapitenëve më të rinj të klubit simbol të këtij qyteti, Vëllaznimi, por suksesin po e përjeton në një mjedis tjetër.
Albutrint Morina së fundi i është gëzuar titullit të kampionit të Kosovës në futboll dhe Kupës së Kosovës. Dy trofetë kryesorë të futbollit i ka fituar me Feronikelin e Drenasit. Morina në janar të vitit të kaluar iu bashkua Feronikelit nga Vëllaznimi i Gjakovës, shkruan sot Koha Ditore.
Te Vëllaznimi ishte kapiten, ndërsa te Feronikeli shpejt është bërë prej lojtarëve bartës në repartin e mesfushës. Në edicionin aktual ka kompletuar shumicën e ndeshjeve.
“Marrë në tërësi jam i kënaqur me paraqitjet te Feronikeli. Mendoj se kam dhënë kontribut të çmuar në arritjen e suksesit të madh të klubit - fitimit të dy trofeve. Sigurisht se sikur çdo njeri tjetër që ka dëshirë të arrijë edhe më shumë, edhe unë kisha pasur dëshirë që të kontribuoj edhe më shumë në suksesin e klubit”, ka thënë Morina në një bisedë për gazetën.
Feronikeli titullin e siguroi me fitore në ndeshjen vendimtare ndaj Prishtinës. Ndërkohë në finale të Kupës fitoi bindshëm, 5:1, ndaj Trepçës ‘89. “Janë shumë elemente që Feronikelin e dallojnë nga klubet e tjera kosovare.
Nuk bëhet fjalë vetëm për një element, por për gërshetimin e shumë elementeve që e bëjnë një klub të madh e të suksesshëm. Elementi kryesor është që secili individ, secila strukturë e klubit e ka kryer dhe e kryen punën e vet në mënyrë maksimalisht profesionale, duke filluar nga i pari dhe më i rëndësishmi, presidenti, pastaj kryesia, shtabi teknik dhe ne lojtarët. Në raste të tilla kur ka një profesionalizëm dhe harmonizim të veprimeve, suksesi nuk ka se si të mungojë“, ka shtuar 26-vjeçari.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)