Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kamberi te Slaven Belupo në Kroaci

Pas përvojës në klube të shumta në Zvicër, Skoci, Gjermani e Angli, sulmuesi Florian Kamberi ka bërë tjetër lëvizje në karrierë. 28-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës kroate, Slaven Belupo, kanë njoftuar media të ndryshme në Kroaci të martën.

Marrë për bazë moshën, karriera e Kamberit do të duhej të ishte në një pikë të lartë. Por kalimi te Slaven Belupos është lëvizje me synim për ta shpëtuar karrierën, përkatësisht për ta kthyer në rrugën e duhur.

Dikur i vlerësuar shumë lart, Kamberi ndeshjen e fundit garuese e ka zhvilluar më 28 janar. U paraqit si zëvendësues për Huddersfield Town ndaj Coventry City në kategorinë e dytë angleze. Në pjesën e parë të kampionatit të kaluar ishte te Winterthuri në Superligën e Zvicrës. Në 13 ndeshje e shënoi një gol. Prej verës Kamberi është pa skuadër.

Ai është zhvilluar si futbollist në Zvicër. Si senior nisi te Grasshopperi, ndërsa më pas kishte periudhë te Karlsruhe në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Periudhën më të suksesshme e kishte te Hiberniani në Skoci. Luajti edhe për Rangersin e famshëm, para se të kthehej te St. Galleni në Zvicër. Prapë kaloi te Aberdeeni në Skoci dhe te Sheffield Wendesday në Angli. Kamberi ka paraqitje për U20 dhe U21 të Zvicrës.

I ka 70 ndeshje e 18 gola në Premiershipin skocez. Në Superligën e Zvicrës i ka 53 paraqitje e katër gola.

Përvojën e gjatë Kamberi tani do ta vërë në dispozicion të Slaven Belupo, skuadrës së elitës kroate. Arbër Hoxha është prej lojtarëve kryesorë të Belupos. Në verë te kjo skuadër u transferua edhe Bujar Pllana, që u lëndua pak ditë pasi firmosi dhe nuk ka debutuar ende në ndeshje zyrtare. Arb Manaj la Belupon për t’iu bashkuar Ballkanit muaj më parë.

Slaven Belupo është e teta në elitën kroate me 12 pikë nga 11 ndeshje.

Artikuj të ngjashëm