Pas huazimeve të suksesshme te Wili e Winterthuri, Lindrit Kamberi është kthyer te Zuerichu, skuadra me të cilën ka kontratë deri në verë të vitit të ardhshëm. Mbrojtësi i qendrës vlerëson lart përvojat te skuadrat e kategorisë së dytë zvicerane dhe thotë se është i gatshëm për sukses në Superligën helvetike.
Zuerichu, në fakt, e ka kthyer para kohe Kamberin nga huazimi. Disa lëndime të lojtarëve të repartit defanziv kanë shtyrë para këtë lëvizje. Dhe kosovari Kamberi ndien se është i gatshëm për ta shfrytëzuar mundësinë.
Ai ka rritur edhe më shumë “koloninë shqiptare” te Zuerichu, klub që ka kohë që bazohet shumë në futbollistët shqiptarë.
Fidan Aliti, Toni Domgjoni, Blerim Xhemaili, Benjamin Kololli, Hekuran Kryeziu janë aktualisht pjesë e Zuerichut. Në huazim është lëshuar Mirlind Kryeziu, ndërsa edhe disa shqiptarë të tjerë, duke përfshirë Shani Tarashajn, presin të promovohen në ekipin e parë të Zuerichut.
“Jam kthyer te Zuerichu dhe stërvitjet e deritashme kanë shkuar mirë. Kthimi ishte pak i befasishëm, por jam i kënaqur që jam me skuadrën ku jam rritur. Jam i bindur se trajneri do të më jap shansin deri në fund të edicionit dhe mua më mbetet që ta shfrytëzoj atë”, ka thënë Kamberi për KOHËN.
Ai është i lindur në Zuerich, ndërsa prejardhjen e ka nga Ferizaj. Tregon se mban lidhje të fortë me Kosovën dhe familjarët e tij në Kosovë.
Kamberi ka kaluar të gjitha grupmoshat e reja te Zuerichu. Në edicionin 2019/2020 luajti huazim te Wili dhe regjistroi 33 paraqitje kampionale. Në edicionin aktual ishte i huazuar te Winterthuri. Ka një gol e një asistim në 26 paraqitje kampionale. Ka edhe dy ndeshje për Kupë të Zvicrës. Me Winterthurin kishte befasuar Baselin, duke e mposhtur thellë për Kupë, 6:2.
“Huazimi në kategorinë e dytë mendoj se ishte plotësisht i qëlluar. Është rrugë e mirë për një lojtar të ri që i duhet përvoja e ndeshjeve. Unë kam luajtur rregullisht te Wili e tani te Winterthuri. Me Winterthurin kam pasur paraqitje shumë të mira. Pra, i kam 60 ndeshje te këto dy skuadra dhe nuk është keq për të filluar karrierën si senior. Definitivisht kam përfituar nga huazimet. Me Winterthurin kemi pasur sukses, e kemi mposhtur edhe Baselin 6:2 për Kupë”, ka treguar Kamberi.
Kthimi te Zuerichu për të ishte i lehtë. Është rritur në Akademinë e këtij klubi. Ai thotë se numri i madh i shqiptarëve në ekip është pozitiv dhe mund të përfitojë në disa aspekte, sidomos nga Blerim Xhemaili që ka shumë përvojë.
Mbrojtësi i qendrës i takon gjeneratës së tretë të familjes Kamberi që jeton në Zvicër. Në këtë vend, së pari kishte shkuar gjyshi i tij, shumë dekada më parë. Por lidhja me Kosovën vazhdon të jetë e fortë.
Ai ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës, deri tek U-20. Aktualisht është i fokusuar te kjo përfaqësuese.
“Kontratë me Zuerichun kam deri në vitin 2022. Shpresoj që në dhjetë ndeshjet e mbetura të këtij edicioni të kem rastin për paraqitje të mira. Plani është që në dy-tre vjetët e ardhshëm të stabilizohem në Superligën e Zvicrës e më pas të vazhdoj karrierën në ndonjë ligë më të fortë evropiane”, ka thënë Kamberi.
Te Zuerichu vlerësojnë zhvillimin e Kamberit në kategorinë e dytë.
“Lindriti është zhvilluar shumë mirë në Challenge League dhe në mënyrë të vazhdueshme është paraqitur mirë. Për shkak të lëndimit të Lasse Sobiech, ne kemi vendosur ta kthejmë më herët te FCZ”, ka thënë drejtori sportiv, Marinko Jurendiq.