Skuadra e Juventusit po synon të forcohet në mesfushë gjatë afatit kalimtar të janarit. “Tuttosport” ka raportuar të hënën se Juventusi po insiston në transferimin e mesfushorit të Lazios, Luis Alberto. Spanjolli po shihet si përforcim i rëndësishëm te Juventusi, që tashmë ka bërë gati ofertën për ta bindur Lazion në lirimin e tij.
Për 30-vjeçarin, Juventusi pritet të ofrojë rreth 30 milionë euro. Alberto ka kohë që ka kërkuar largimin nga Lazio për shkak të raporteve të këqija me trajnerin Maurizio Sarri dhe gjasat janë të mëdha që të largohet në janar.
Ai ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025, ndërsa ka gjashtë gola e katër asistime këtë edicion në të gjitha garat.