Serie A rifillon të enjten, ndërsa muaji janar do të jetë vendimtar për skuadrën e Juventusit këtë sezon. Ekipi nga Torino e nis vitin 2022 me vizitën e rivalit të vjetër, Napolit. Në fakt, të gjitha ndeshjet e xhiros së 20 të Kampionatit italian do të zhvillohen të enjten, me një rikthim të koronavirusit që duket i madh dhe tashmë ka filluar t’i pushtojë skuadrat. Dhjetëra lojtarë në mesin e 20 klubeve të divizionit më të lartë të Italisë janë jashtë veprimit për shkak të infektimit me virus, me kapitenin e Juventusit, Giorgio Chiellinin, që është një nga ata që u mënjanua pas testimit pozitiv dhe 15 raste të reja midis skuadrave të Veronas dhe Udineses, që u njoftuan të martën mbrëma.
Dhe, përhapja e shpejtë e virusit ka bërë që kapacitetet e stadiumeve të reduktohen në 50 për qind, ndërsa Qeveria italiane përpiqet të mbajë “kapakun” në një valë tjetër të pandemisë. Ardhja e Napolit në qytetin e Torinos shënon fillimin e një serie ndeshjesh të ndërlikuara për skuadrën e trajnerit Massimiliano Allegri, që zë vendin e pestë në tabelë, me 12 pikë prapa liderit të ligës dhe kampionit në fuqi, Interit. Pas duelit me Napolin, që luhet prej orës 20:45, Juventusi do të përballet edhe me Romën, Milanin e Atalantan - që janë katër pikë përpara Juves në tabelë – para mesit të muajit shkurt. Mungesa e Chiellinit dhe dëmtimi i Leonardo Bonuccit e lë Juventusin të shkëputur nga dy nga lojtarët më me ndikim, ndërsa në sulm Paulo Dybala dhe Federico Chiesa do të jenë në stol pas rikuperimit nga lëndimi.
“Do ta kemi një muaj shumë të ngarkuar me ndeshje të forta, i cili mendoj se mund të jetë vendimtar për ne këtë sezon. Besoj se mund ta përballojmë dhe gradualisht të ngjitemi në tabelë, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë. Gjëja më e rëndësishme është që gjatë janarit dhe shkurtit të mos kemi lojtarë të lënduar”, është shprehur trajneri i Juventusit, Allegri.
Napoli do të arrijë në Torino me një listë të gjatë mungesash, kryesisht falë pjesëmarrjes së lojtarëve në Kupën e Afrikës dhe rasteve me Covid, me trajnerin Luciano Spalletti, i vendosur të qëndrojë në shtëpi pasi rezultoi me koronavirus pas testit të bërë të martën. Sulmuesi Victor Osimhen, i cili tashmë ka humbur një pjesë të ndeshjeve me fraktura të fytyrës, është gjithashtu pozitiv me koronavirus së bashku me Hirving Lozanon, Eljif Elmasin, Kevin Malcuitin dhe Mario Ruin, i cili megjithatë është i pezulluar për ndeshjen e së enjtes. Skuadra e Spallettit ka një diferencë prej shtatë pikësh me Interit pasi muajin e shkuar pati rezultate negative dhe nga pozita e parë ra në të tretën. Napoli pati tri humbje rresht në shtëpi, ndërsa këtë muaj do të jetë edhe pa Kalidou Koulibalyn e Andre-Frank Zambo Anguissan, të dy në Kupën e Afrikës. E te Napoli kanë kërkuar që kjo ndeshje të shtyhet sikur që ndodhi para 15 muajve për shkak të rasteve me Covid, por liga italiane është e vendosur që ndeshja të luhet sipas orarit të caktuar. E gati për të kërcyer në tabelë janë Milani dhe Roma, që përballen në stadiumin “San Siro”, por prej orës 18:30. Milani po synon titullin këtë edicion, ndërsa Roma një vend në Champions. Milani i vendit të dytë mund të shtojë diferencën prej tre pikëve ndaj Napolit, ndërsa Roma e Jose Mourinhos është në vendin e gjashtë me dy pikë më pak se Juventusi. Megjithatë, një ndeshje e kësaj xhiroje tashmë është shtyrë, ajo ndërmjet Salernitanas dhe Venezias.
Skuadra më e goditur nga virusi është Salernitana, e cila me nëntë lojtarë pozitivë kanë kërkuar që ndeshja e tyre me Venezia - e para që kur u ruajt vendi i saj në Serie A - të shtyhet pasi autoritetet shëndetësore bllokuan përsëri lojtarët të luanin. Biznesmeni Danilo Iervolino ndërhyri në minutën e fundit për t'u siguruar që Salernitana, e fundit në Seria A, të mos largohej nga elita e futbollit italian, duke blerë klubin dhe duke i dhënë fund mbretërimit të presidentit të Lazios, Claudio Lotitos si pronar. Klubi kishte qenë në rrezik të përjashtohet pasi Federata Italiane e Futbollit refuzoi të zgjaste pritjen për ndërrimin e pronarit deri në fund të sezonit, duke i dhënë afat deri më 31 dhjetor. Salernitana nuk ka luajtur asnjë ndeshje qëkur u mposht 5:0 nga Interi më 17 dhjetor, ndeshja e tyre e fundit e vitit 2021 u shty pasi autoritetet lokale shëndetësore ia ndaluan të udhëtonte në Udinese katër ditë më vonë.