Skuadra e Juventusit e ka mbyllur turneun parasezonal në SHBA me fitore ndaj Real Madridit, në ndeshjen e luajtur të enjten në Orlando para 60 mijë shikuesve.
Juventusi triumfoi 3:1 ndaj Real Madridit, ndërsa për ekipin italian kjo ishte ndeshja e tretë në këtë turne, pasi më herët mposhti Milanin dhe barazoi me Barcelonën.
Në duelin kundër Realit, Juventusi shënoi dy gola në pjesën e parë dhe një në të dytën përkundër dominimit të ekipit spanjoll. Sulmuesi Moise Kean e kaloi ekipin italian në minutën e parë të ndeshjes, duke përfituar nga një top i kthyer.
Epërsinë e dyfishoi Timothy Weah, i cili iu bashkua Juventusit në këtë afat kalimtar. Weah shënoi nga afërsia pas asistimit të Weston McKenniet në minutën e 20-të.
Pak pa përfunduar pjesën e parë, Reali ngushtoi epërsinë me anë të brazilianit Vinicius Junior në minutën e 38-të pas asistimit të Toni Kroosit.
Rezultatin përfundimtar të takimit e vulosi sulmuesi Dushan Vllahoviq që shënoi në minutën e pestë të kohës shtesë.