Juventusi ka fituar bindshëm ndaj Spezias, në ndeshjen hapëse të xhiros së 25-të të Serie A.
Ndeshja e së martës mbrëma përfundoi me rezultatin 3:0 në të mirë të kampionit aktual të Italisë. Juve fitoren e siguroi në pjesën e dytë. Alvaro Morata shënoi për 1:0 në minutën e 62-të. Për 2:0 realizoi Federico Chiesa në minutën e 71-të kurse superylli Cristiano Ronaldo realizoi për 3:0 në minutën e 89-të.
Në kohën shtesë Spezia humbi penallti. Ardian Ismajli qëndroi në stol te kjo skuadër. Ndërkohë Ronaldo ka arritur në shifrën e 20 golave në këtë edicion të Serie A. Ai ka luajtur në 21 ndeshje dhe mesatarisht ka shënuar nga një gol për çdo 91 minuta. Juventusi mban vendin e tretë me 49 pikë nga 24 ndeshje. Ka një ndeshje më pak të luajtur.