Juventusi pati mundësi të arta për të fituar duelin ndaj Nantesit, por vetëm fati ia ka mohuar një gjë të tillë. “Zonja e vjetër” të enjten mbrëma në shtëpi barazoi me Nantesin francez, 1:1, në fazën e plejofit të Ligës së Evropës. Dushan Vllahoviq në minutën e 13-të shënoi për epërsinë e vendësve, ndërsa pas një ore lojë, Ludovic Blas barazoi shifrat dhe vulosi rezultatin final të takimit.
Në minutën e 62-të, Federico Chiesa gjuajti fuqishëm brenda në zonë, por topi qëlloi shtyllën transversale fillimisht, e më pas edhe atë pingule për të përfunduar në fund në duart e portierit kundërshtar. Minuta më vonë, edhe Angel Di Maria qëlloi transversalen nga goditja e këndit.
Në ndeshjet tjera të orarit të mbrëmjes në këtë garë, Monaco mposhti Leverkusenin me rezultatin 3:2. Golin e fitores, francezët e shënuan në minutën e dytë të shtesës me Axel Disasin. Sevilla fitoi përballë PSV-së 3:0, kurse Sportingu barazoi me Midtjyllandin, 1:1.