Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Juventusi i inspiruar nga Ronaldo synon t’ia shkaktojë Milanit humbjen e parë kampionale

Milano, 5 janar – Juventusi i udhëhequr nga Cristiano Ronaldo do të jetë mysafir i liderit të Serie A, Milanit, në një ndeshje ku nuk ka hapësirë për gabime. Ekipi i drejtuar nga Andrea Pirlo po synon titullin e dhjetë rresht të Italisë.

Dueli mes Milanit dhe Juventusit zhvillohet të mërkurën mbrëma (20:45) në stadiumin “San Siro” dhe i takon xhiros së 16-të. Juventusi në këtë përballje futet me dhjetë pikë më pak se Milani, që nuk di ende për humbje këtë sezon. Juve ka një ndeshje më pak të luajtur se skuadra e trajnerit Stefano Pioli.

Milani kryeson në tabelë me 37 pikë derisa Juventusi renditet në pozitën e pestë me 27 pikë të grumbulluara.

Ndërkohë Interi, që është i dyti me një pikë më pak se Milani, po shpreson të përfitojë nga derbi për ta rrëmbyer pozitën e liderit. Të mërkurën zhvillohen të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje në Serie A, derisa Interi do të luajë në udhëtim kundër Sampdorias (15:00).

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, në konferencën për shtyp, të martën, ka insistuar se dueli me Juventusin nuk është vendimtare në garën për titullin e kampionit pasi deri në fund të këtij edicioni në Serie A, ka edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar. Megjithatë, Pioli ka shtuar se ekipi i tij do të dalë në fushë për ta mposhtur Juventusin, që e vlerëson si kundërshtar të fortë.

Edhe Klubet e Milanos në garë për ta mbyllur vitin në krye të Serie A Sport Klubet e Milanos në garë për ta mbyllur vitin në krye të Serie A

“Synimi ynë nuk ndryshon. Kundër Juventusit do të kërkojmë fitoren. Kemi bërë një punë të mirë deri më tani, të cilën duam ta vazhdojmë edhe në këtë ndeshje të rëndësishme. Madje, nuk do të pajtohemi as me barazim sepse rrezikojmë të humbim. Kështu që fokusi ynë është të kemi një paraqitje të mirë”, është shprehur Pioli.

“Megjithatë, nuk duhet harruar se kjo nuk është ndeshje vendimtare për shkak se ka edhe shumë lojë për t’u zhvilluar. Ne duam t’i qasemi me seriozitetin më të madh edhe pse nuk do të jetë lehtë, sepse Juventusi është një kundërshtar shumë i fortë dhe na detyron ta rrisim nivelin e lojës”.

Edhe te Juventusi kanë paralajmëruar se në Milano do të udhëtojnë për fitore. Një dështim për të marrë tri pikë në këtë derbi do të vështirësonte edhe më shumë situatën për trajnerin Pirlo për ta fituar titullin e kampionit këtë edicion. Do të jetë një përplasje e stileve të lojës mes Milanit dhe kampionit në fuqi, i cili është mbështetur shumë këtë sezon në yllin Cristiano Ronaldo. Portugezi ka shënuar 14 nga 29 golat e Juventusit deri më tani në kampionatin italian. Pa Ronaldon në përbërje, Juventusi këtë edicion ka vuajtur për fitore duke barazuar në tri ndeshje – me Crotonen, Veronan e Beneventon – kur ka munguar ai. Juventusi kundër Milanit do t’i ketë tri mungesa të rëndësishme. Krahas sulmuesit të lënduar Alvaro Morata, do të mungojnë edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Alex Sandro, dhe ai i krahut të djathtë, Juan Cuadrado – që të dy të infektuar me koronavirus. Kthehen mesfushorët Adrien Rabiot e Arthur Melo, gjë që e bën trajnerin Pirlo optimist.

“Pa dyshim se është një ndeshje e rëndësishme por jo vendimtare. Është hera e parë për mua që përballem me ish-ekipin tim, Milanin, si trajner, dhe do të jetë shumë emocionuese. Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të sulmojmë prej fillimit për shkak se duam të vazhdojmë me fitore këtë vit”, është shprehur Pirlo. “Milani nuk e ka humbur asnjë ndeshje në kampionat dhe pa dyshim se është ekipi që duhet të mposhtet. Do të mundohemi që ta imponojmë lojën tonë dhe të mundohemi të shfrytëzojmë karakteristikat e Ronaldos, që është kampion në të cilin mbështetemi”.

Trajnerin Pirlo e gëzon fakti që Milani edhe në këtë ndeshje do të jetë pa sulmuesin kryesor, suedezin Zlatan Ibrahimoviq. Ibrahimoviq, 39-vjeçar, që ka shënuar dhjetë gola në gjashtë ndeshje kampionale, i ka munguar Milanit në shtatë ndeshjet e fundit në Serie A, për shkak të një lëndimi muskulor. Megjithatë, Milani nuk di për humbje në kampionat që nga marsi i vitit të shkuar dhe mungesën e Ibrahimoviqit në ekip po e kompenson portugezi i ri, Rafael Leao. 21-vjeçari këtë edicion ka shënuar katër gola dhe ka asistuar tri herë në 11 ndeshje në Serie A. Trajneri i Milanit, Pioli pret shumë prej tij edhe kundër Juventusit.

“Leao është një futbollist me potencial të jashtëzakonshëm dhe super cilësi. Pres shumë prej tij edhe në ndeshjen derbi pasi deri më tash me sukses e ka mbuluar mungesën e Ibrës”, tha Pioli.

Ndërkohë, skuadra e Interit sipas të gjitha gjasave kundër Sampdorias do të paraqitet pa sulmuesin kryesor, Romelu Lukaku që u dëmtua në ndeshjen e fundit. Sampdoria e drejtuar nga Claudio Ranieri, është në kërkim të fitores së nëntë rresht kampionale kundër Interit. Roma që renditet e treta, është mysafire e Crotones që zë vendin e fundit në tabelë derisa Napoli i pozitës së katërt e pret në shtëpi skuadrën e Spezias.

Edhe Të dielën derbi Juventus – Milan Futboll Të dielën derbi Juventus – Milan

“Skuadrat që kanë investuar më së shumti, Juventusi dhe Interi, mbesin favoritët kryesorë për titullin e kampionit në Serie A. Mirëpo, këtu duhet të llogariten edhe Milani, Roma e Napoli që kanë treguar paraqitje të mira. Deri në fund të sezonit do të jetë një garë e fortë ndërmjet pesë ekipeve të para”, ka pranuar trajneri i Romës, Paulo Fonseca.

Xhiron e 16-të në Serie A e hap dueli ndërmjet Cagliarit dhe Beneventos, që nis prej orës 12:30.