Pas pesë fitoreve rresht në Serie A, Juventusi ka bërë hap të gabuar në garën për titull. Skuadra e Massimiliano Allegrit u nda baras 1:1 në shtëpi në përballjen me Empolin në kuadër të xhiros së 22-të.
“Zonja e Vjetër” ishte favorite, por gjithçka u zbeh në minutën e 18-të,kur Arkadiusz Milik u ndëshkua me karton të kuq për shkak të një ndërhyrjeje të ashpër.
Pavarësisht kësaj, Juve kaloi në epërsi me të nisë pjesa e dytë. Dushan Vllahoviq realizoi për 1:0. Megjithatë, nuk arriti t’i bënte ballë presionit kundërshtar. Tommasso Baldanzi realizoi 20 minuta më vonë për të barazuar gjithçka.
Tek Empoli u paraqit për 90 minuta ylli i kombëtares shqiptare Ardian Ismajli.
Juventusi ka 19 ndeshje rresht pa humbje në Serie A dhe në Kupë. Barazimi sidoqoftë paraqet hap prapa në garën për titull. Aktualisht, pas 22 ndeshjeve në ligë Juve ka 53 pikë dhe ngel lider. Megjithatë, Interi që e ndjek pas ka 51 pikë dhe dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Empoli në anën tjetër është i 19-ti në ligë me vetëm 17 pikë të tubuara.