Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Juventus – Inter, derbi i madh i Italisë

Xhiroja e 13-të në Serie A mbyllet me derbin e madh të Italisë ndërmjet Juventusit dhe Interit. Kjo ndeshje, që zhvillohet të dielën në Torino prej orës 20:45, do t’i lërë në hije të gjitha duelet e tjera të kësaj jave.

Dy skuadrat e mëdha italiane nuk kanë pasur rezultate të mira këtë edicion dhe përballja vjen pak ditë pas përfundimit të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Përderisa Interi avancoi në fazën e nokautit të Championsit, Juventusi është eliminuar nga kjo garë dhe lavdinë evropiane do ta kërkojë në Ligën e Evropës. Si Interi ashtu edhe Juventusi u mposhtën në ndeshjet e fundit në grupet e tyre dhe tani do ta synojnë fitoren në derbin e madh të kampionatit. Interi pësoi në udhëtim 2:0 nga Bayerni, ndërsa Juventusi u mposht në shtëpi nga Paris Saint-Germaini. Në kampionat rivalët e përbetuar nuk janë larg njëri-tjetrit në tabelë. Interi është i gjashti me 24 pikë, dy më shumë se Juventusi që zë vendin e shtatë. Për ndeshjen kundër Juventusit skuadra e Interit do të jetë pa sulmuesin Romelu Lukaku që ditë më parë u lëndua sërish. Ndërsa Juventusit i kthehen disa prej lojtarëve kryesorë. Krahas Federico Chiesas, që u kthye nga lëndimi që e mbajti jashtë fushës prej muajit prill dhe luajti ndaj PSG-së, trajneri Massimiliano Allegri do t’i ketë në dispozicion edhe Angel di Marian, Gleison Bremerin e Dushan Vllahoviqin që tashmë janë rikuperuar nga lëndimet. Juventusi do ta kërkojë fitoren e shtatë këtë edicion në Serie A dhe futet në këtë derbi pas fitores së mundimshme në udhëtim te Lecce (1:0). Ndërkohë Interi ishte bindshëm më i mirë se Sampdoria që e mposhti 3:0. Prej 205 përballjeve në “Derby d’Italia” në kampionat, Juventusi ka regjistruar 93 fitore karshi 60 humbjeve nga Interi. Ndërsa, 52 ndeshje tjera kanë përfunduar pa fitues.

Të dielën prej orës 18:00 zhvillohet derbi i kryeqytetit të Italisë, Roma – Lazio.

Lideri i Serie A, Napoli, do të përpiqet ta përforcojë edhe më shumë vendin e parë, me gjithë udhëtimin e vështirë që e pret. Napoli, që ka 32 pikë, të shtunën prej orës 18:00 përballet me Atalantan, që ka pesë pikë më pak dhe zë vendin e dytë. Kampioni në fuqi, Milani, ka punë të lehtë pasi në “San Siro” e pret skuadrën e Spezias, ndeshje kjo që luhet të shtunën në mbrëmje.

Artikuj të ngjashëm