Sport

Juve synon sulmues të ri

Kampioni i Italisë, Juventusi, po punon për të transferuar një sulmues të ri gjatë verës. Sipas “Tuttosport”, Juve synon Gabriel Jesusin, Timo Wernerin apo Mauro Icardin, si zëvenedësim për Gonzalo Higuanin.

Gazeta italiane ka shkruar se Juventusi synon një sulmues më të ri se 30-vjet dhe ka identifikuar Icardin, Wernerin e Jesusin si shënjestra reale.

Higuain 32-vjeçar, ka kontratë me skuadrën nga Torino deri në fund të edicionit të ardhshëm. Juventusi ka tentuar të ndahet me Higuanin verën e kaluar, por sulmuesi ka refuzuar, pasi ka dashur të punoj sërish me Maurizio Sarrin.

Juventusi është lidhur me një transferim të mundshëm të Icardit për disa vjet rresht, ndërsa tani mund të nis një përpjekje të re. Icardi është lojtar i Interit, aktualisht i huazuar te PSG-ja.

Jesus i Manchester Cityt mund të lëviz pasi nuk po paraqitet rregullisht te skuadra angleze. Ndërkohë për Wernerin e RB Leipzigut, Juventusi do të ketë konkurrencë nga Liverpooli.