Boksieri britanik Anthony Joshua do të duhet të përballet me ukrainasin Oleksandr Usyk, kështu ka urdhëruar Organizata Botërore e Boksit (WBO), raporton Sky Sports.
WBO u ka dhënë afat të dyja palëve deri më 31 maj që të dakordohen për luftën, ndërsa është refuzuar kërkesa e promotorit Eddie Hearn për ta shtyrë këtë luftë.
Joshua tash pritet të përballet me Usykun në meçin që do të jetë i vlefshëm për titujt WBA, IBF dhe WBO në peshën e rëndë të boksit profesionist, ndërsa Tyson Fury do ta mbrojë titullin WBC përballë amerikanit Deontay Wilder.
Fillimisht ishte paraparë që Joshua e Fury të përballen për unifikimin e katër titujve të mëdhenj. Mirëpo, Wilderi ka fituar në arbitrazh të drejtën për një përballje të tretë me Furyn, ndërsa edhe Joshuas i është kërkuar të përballet me Usykun.
Joshua në boksin profesionist ka 24 fitore (22 KO) dhe një humbje. Usyk në anën tjetër i ka fituar 18 meçet e deritashme, 13 prej tyre me nokaut.