Anthony Joshua do të mbrojë titujt në versionet WBA, IBF dhe WBO të kategorisë së rëndë në boksin profesionist, ndaj ish-kampionit të padiskutueshëm në kategorinë kruzer, Oleksandr Usyk. Meçi do të zhvillohet në stadiumin e Tottenhamit më 25 shtator.
Meçi vë përballë dy kampionët olimpikë nga Londra 2012. Joshua kishte fituar titullin në kategorinë super të rëndë, ndërsa Usyk në kategorinë e rëndë.
“Ne jemi dy fitues të medaljes së artë olimpike dhe me luftë kemi arritur në majë. Asnjëherë nuk kemi shmangur sfidat”, ka thënë Joshua në një komunikatë, të martën.
“Stadiumi është i jashtëzakonshëm, atmosfera do të jetë e zjarrtë. Jam gati për ta përfunduar punën”.
Meçi i Joshuas me Usyk vjen pas dështimit të meçit ndaj Tyson Furyt, i paraparë të zhvillohet në Arabi Saudite në gusht. Fury është urdhëruar që të përballet me Deontay Wilderin për titullin WBC. Ky meç është në tetor.
I njohur për lëvizjen me këmbë, shpejtësinë shembullore të duarve dhe lëvizjen e kokës, Usyk fitoi titujt në katër versionet në peshën kruzer. Ai ka fituar 18 meçet profesionale, 13 me ndërprerje. Mbetet të shihet nëse 34-vjeçari nga Ukraina do të ketë sukseset e njëjta në kategorinë e rëndë.