Anthony Joshua është i bindur se do ta ketë përballë boksierin më të mirë në planet, kur të ndeshet me Andy Ruizin në revanshin e muajit dhjetor. Joshua thotë se ka të drejtë kur i drejtohet Ruizit si më i miri në botë, pasi ai është kampion i peshës së rëndë në boksin profesionist.
Ruiz, i cili ka lindur në SHBA por bokson për Meksikën, bëri befasi të madhe në muajin qershor kur e mposhti Joshuan për t'ia shkaktuar disfatën e parë në karrierë dhe njëherësh për t'ia rrëmbyer brezat e kampionit në versionet WBA, IBF dhe WBO. Atë fitore Ruiz e kishte arritur në New York, shkruan sot Koha Ditore.
Në pjesën e tretë të trilogjisë së konferencave për shtyp që kanë për qëllim promovimin e revanshit në Arabi Saudite, Joshua të premten para gazetarëve anglezë deklaroi se është maksimalisht i motivuar për meçin tepër të rëndësishëm.
"Luftërat e mia i takojnë elitës, pasi gjithmonë boksoi kundër më të mirëve. Jam maksimalisht i motivuar për revansh, pasi përballë kam kampionin, Ruizin, që në këtë rast është luftëtari më i mirë në botë", u shpreh Joshua.
"Talenti dhe suksesi i Ruizit nuk mund të anashkalohen dhe për këtë arsye duhet të jem i kujdesshëm. Gjithashtu më duhet të shtoj se në dhjetor do të shihni një boksier krejtësisht tjetër që është i uritur për të kthyer titujt e tij. Nuk do të jetë lehtë, pasi Andy e ka dëshmuar veten si më i mirë në këtë kategori".
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)