Kampioni i botës në kategorinë e rëndë, Anthony Joshua, ka insistuar se një meç me Tyson Furyn apo Deontay Wilderin duhet patjetër të ndodhë vitin tjetër.
Joshua vikendin e shkuar ka rikthyer titujt në versionet IBF, WBO dhe WBA pas triumfit ndaj Andy Ruizit, në rimeçin e mbajtur në Arabinë Saudite, shkruan sot Koha Ditore. Pasi është konfirmuar si kampion i botës, Joshua tash ka synime të mëdha për vitin tjetër. Ai po synon të përballet me njërin prej dy boksierëve ende të pamposhtur, Fury ose Wilderi.
Vitin tjetër tashmë është përcaktuar një meç, ai ndërmjet Wilderit dhe Furyt që do të mbahet më 22 shkurt. Në fakt, ky është rimeç mes këtyre dy boksierëve, që në meçin e mbajtur muaj më parë dolën baras. Amerikani Wilder është kampion në versionin WBC dhe Joshua më shumë preferon një përballje me boksierin amerikan. Joshua thotë se nuk do të zgjedhë se me cilin do të boksojë, pasi thotë se mjafton që të jetë njëri mes Wilderit dhe Furyt.
“Besoj se ky do të jetë një prej meçeve më të mëdha në historinë e boksit. Kështu që, dua të shkruaj historinë. Jam i gatshëm për vitin tjetër të boksoj me Wilderin ose Furyn. Besoj se njëri do të pranojë të jetë kundërshtari im, do të punoj me promotorin tim që kjo të realizohet”, është shprehur Joshua. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)