Sport

Jaydon Braff, “magjistari holandez” që do të jetë pasardhës i Sanes te City

Më së shumti brenda një viti, tifozët e Manchester Cityt ka gjasa që të pyesin se “kush është Sane?”. Dhe, ata mund të kenë plotësisht të drejtë sepse skuadra e tyre tashmë e ka lojtarin e ri, i cili do ta zëvendësojë sulmuesin e krahut që ditë më parë u transferua te Bayern Muencheni për 50 milionë euro dëmshpërblim.

Në fakt, City mund të krenohet se në ekipin e dytë (U23) e ka një “Sane tjetër”, që mund të ndodhë të jetë edhe shumë më i mirë se reprezentuesi i Gjermanisë. Ai nuk është shumë i njohur, por prapa skenave te City flasin shumë për lojtarin e talentuar. Bëhet fjalë për 17-vjeçarin Jayden Braff, i cili tashmë po krahasohet me yllin e Borussia Dortmundit, Jadon Sancho, që u largua nga City për të shkëlqyer në Bundesligë, shkruan "The Sun".

Dhe, nëse City nuk tregohet i kujdesshëm me holandezin Braaf, mund t’i ndodhë e njëjta gjë si me Sanchon. Braaf ka 11 gola dhe tre asistime në 27 ndeshje që i ka luajtur këtë edicion në të gjitha garat: Premier League 2, Uefa Youth League, FA Youth Cup dhe EFL Tropthy dhe po vlerësohet ndër më të mirët në ekipin e dytë të Cityt. Braaf iu bashkua Cityt para dy vjetësh nga të rinjtë e PSV Eindhovenit, pasi habiti skautët e ekipit anglez me paraqitjet e tij. Madje, në vlerësimin e tyre, skautët thanë se bëhet fjalë për një lojtar të kompletuar në çdo aspekt. Braaf shkëlqeu menjëherë edhe në akademinë e Cityt, duke lënë trajnerët me gojë të hapur. Madje, te City po vlerësojnë se në momentin që do të debutojë me ekipin e parë të Cityt, Braaf do të ketë një vlerë prej 100 milionë eurosh.

“Ai është një lojtar që një ditë do të kushtojë më shumë se 100 milionë dhe për këtë të gjithë janë të bindur te City, përfshirë edhe trajnerin Pep Guardiola”, ka thënë një burim i afërt me ekipin. “Braaf është lojtar i të njëjtit nivel me Sanchon, ndoshta edhe më i mirë. City e sheh atë si zëvendësim ideal për Leroy Sanen, të cilin e shiti te Bayerni. Braaf do të bëjë që tifozët ta harrojnë Sanen, sepse është një futbollist me potencial të jashtëzakonshëm.