Mesfushori ofensiv, Jadon Sancho, i transferuar me bujë të madhe, pritet të largohet nga Manchester Unitedi në fund të sezonit. “The Sun” shkruan të martën se Sancho është vetëm njëri prej disa lojtarëve që tashmë janë nxjerrë në shitje nga klubi me kërkesën e trajnerit Erik ten Hag.
Tekniku holandez aspak nuk është i kënaqur me Sanchon, i cili në vitin 2021 iu bashkua Unitedit për 100 milionë euro nga Borussia Dortmundi. Këtë sezon, 23-vjeçari ka 5 gola dhe 1 asistim në 26 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, ndërsa me Unitedin ka kontratë deri në vitin 2026 me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.
Bëhet e ditur se Unitedi është i gatshëm ta lirojë Sanchon nëse merr një ofertë deri në 60 milionë euro. Ai ka edhe 23 paraqitje dhe 3 gola të shënuar me Përfaqësuesen e Anglisë.