Sport

Java hapet me derbin në Suharekë

Foto: Koha

Te Ballkani janë të vendosur për të marrë rezultat pozitiv në duelin kundër skuadrës së Gjilanit në kuadër të xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll, që kthehet me gara pas pauzës për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve për eliminatoret e “Euro 2020”.

Kjo vlerësohet ndeshja më me peshë e kësaj xhiroje, pasi përballen skuadrat që ndajnë dy pozitat e para në tabelë, me pikë të njëjta. Si Gjilani ashtu edhe Ballkani kanë tubuar nga 31 pikë deri më tash, shkruan sot Koha Ditore.

Në fakt, Gjilani është në vend të parë falë goldallimit më të mirë. Dueli ndërmjet këtyre ekipeve zhvillohet të premten (sot, 13:00) dhe hap xhiron e 16-të të Superligës. Ballkani e pret Gjilanin në Suharekë dhe po synon që të mbetet ende i pamposhtur si vendas. Është ekipi i vetëm deri më tash në Superligë që nuk di për humbje para tifozëve të vet. Ka gjashtë fitore dhe një barazim në shtatë ndeshje.

Gjithashtu, Ballkani në pesë ndeshjet e fundit nuk di për humbje, pasi ka marrë tri fitore dhe dy barazime, derisa Gjilani pos tri fitoreve ka një humbje dhe një barazim. Ndeshja e parë ndërmjet këtyre skuadrave, e luajtur në Gjilan, pati përfunduar me fitoren minimale të ekipit vendas, 1:0. Ballkani është i kompletuar për këtë ndeshje, derisa te Gjilani do të mungojnë Oltion Rrapa e Ylli Shameti, që të dy për shkak të lëndimeve.

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka deklaruar të enjten se pret ndeshje të fortë prej të dyja palëve, derisa pranoi se ekipi i tij synon rezultat pozitiv.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)