Sport

Java e kupës

Të martën (sot) nis gara përfundimtare për trofeun e parë të këtij edicioni në basketbollin e Kosovës. Në palestrën “Mizahir Isma” të Rahovecit, për pesë ditë rresht do të ketë ndeshje në kuadër të “Final 8” të Kupës së Kosovës. 

Edhe këtë vit, sikurse vitin e shkuar, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka vendosur që gara finale e kupës të mbahet në Rahovec, që tashmë po profilizohet si qytet i basketbollit për shkak të shikueshmërisë së madhe, shkruan sot Koha Ditore.

Te KB Rahoveci kanë insistuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për “spektakël të basketbollit”, kurse biletat qysh të hënën janë shitur për ndeshjet e ditës së parë. Dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të kësaj gare do të mësohen të martën (sot) kur edhe zhvillohen çerekfinalet e para. Dueli i parë çerekfinal është ai ndërmjet Pejës dhe Ponte Prizrenit, që nis në orën 16:30. 

Peja është njëra prej skuadrave më të përforcuara, pasi gjatë muajit të shkuar e riktheu në ekip edhe Dardan Berishën. Gjithashtu te Peja në ndeshjen kundër Ponte Prizrenit pritet të debutojë trajneri i ri, Adis Beçiragiq, që ka zëvendësuar Jeronimo Sharinin. 

Në fakt, këto dy skuadra janë përballur këtë vit dhe Ponte Prizreni e pati mposhtur Pejën (96:92) në kuadër të kampionatit. Fitore te Ponte Prizreni po kërkojnë edhe në ndeshjen e kupës. “Ne synojmë që të paktën të arrijmë deri në gjysmëfinale të kupës. Do të japim gjithçka nga vetja kundër Pejës, pasi duam të jemi fillimisht në mesin e katër skuadrave më të mira dhe pastaj të shohim”, ka thënë trajneri i Prizrenit, Arbnor Rifati. 

Ndërkohë te Peja po synojnë të fitojnë trofeun e parë këtë edicion, për shkak se synimet janë të mëdha pas investimeve të bëra. Peja këtë vit në shtatë ndeshje të zhvilluara në kampionat ka pesë fitore e dy humbje. 

Përveç Pontes skuadra pejane është mposhtur edhe nga Trepça. Peja zë vendin e pestë në tabelë me 35 pikë, një më pak se Ponte Prizreni që renditet i katërti. 
“Sikurse ekipet e tjera edhe Peja shpreson ta fitojë këtë garë edhe pse nuk do të jetë lehtë, sepse të gjitha skuadrat janë përforcuar. Pres të tregojmë lojë të bukur dhe në përgjithësi të jetë një atmosferë e mirë basketbolli. Në fund dëshira është që të festojmë ne”, ka thënë Dardan Berisha.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)