Ardon Jashari vlerëson se ka ardhur koha që të ndryshojë skuadër. Ai nuk e fsheh dëshirën që të bashkohet me Baselin, njërën prej skuadrave më të mëdha në Zvicër. Mesfushori është pjesë e Luzernit. Ndonëse ende vetëm 20-vjeçar, ai është kapiten i skuadrës së Superligës helvetike.
Momentalisht problemi është te Luzerni. Ky klub kërkon pesë milionë franga për Jasharin, nëse jo më shumë. Do të ishte rekord për një lëvizje brenda Zvicrës. Ka pak gjasa që Baseli të ofrojë dukshëm më tepër, ndonëse ka shitur për 18 milionë Zeki Amdounin te Burnley.
Momentalisht Luzerni ka ndërprerë negociatat me Baselin. Dhe Jashari ka vendosur të flasë. Ai të mërkurën ka dhënë një intervistë për “Luzerner Zeitung”.
“Me këshilltarin dhe familjen kemi vendosur që është koha për të bërë ndryshimin”, ka thënë Jashari. Ai tashmë ka debutuar për përfaqësuesen seniore të Zvicrës. Së fundi ishte me Zvicrën U21 në Evropian. Vlerësohet prej futbollistëve më të talentuar në Zvicër.
“Kemi ardhur në përfundim se unë dua të qëndroj në Zvicër. Jam i bindur se mund të bëj hap tjetër në karrierë në Basel”, ka shtuar Jashari.
Baseli e dëshiron Jasharin, kështu që çështja është te Luzerni.
“Kërkoj nga përgjegjësit që të negociojnë me Baselin”, ka vazhduar Jashari. “Kur e kam nënshkruar kontratën, menaxhmenti i Luzernit më ka bindur se do të më përkrahë nëse dëshiroj të ndryshoj skuadër”.
Edhe
Legjenda e Baselit flet për Jasharin
Rekordi i kalimit nga një skuadër te një skuadër tjetër e Zvicrës është katër milionë franga. Baseli kishte paguar atë shifër për Zeki Amdounin. Është e sigurt që për transferimin e Jasharit do të paguhen më shumë miliona.
Tani po pritet veprimi i Luzernit. Por gjasat thuajse nuk ekzistojnë që Jashari të luajë për këtë skuadër. Ai mungoi në stërvitje të martën me arsyetimin zyrtar se ishte i sëmurë. Të mërkurën stërviti i vetëm në kompleksin e klubit.
Jashari ka kontratë me Luzernin deri në qershor të vitit 2026. Prej tij pritet shumë në të ardhmen. Por, fillimisht zhvillimin do ta vazhdojë me shumë mundësi te Baseli.