Ardon Jashari do të jetë shitja e parë e Luzernit në verë. Kështu ka raportuar të martën gazeta zvicerane “Blick”.
Nga shitja e kapitenit, Luzerni pritet të fitojë një shumë të konsiderueshme të parave. Vlera e tij është rritur pas paraqitjeve të mira me fanellën e Luzernit në sezonin aktual, e po ashtu edhe me pjesëmarrjen në Kupën e Botës në Katar me Zvicrën.
Luzerni, i udhëhequr në mesfushë nga Jashari, po lufton për ta siguruar vendin e dytë, që siguron kualifikimet në Ligën e Kampionëve. Është vetëm katër pikë prapa Servettes që mban vendin e dytë. Luzerni është në vendin e katërt me 36 pikë.
Mesfushori 20-vjeçar me Luzernin ka kontratë deri në verën e vitit 2026. Vlera e tij në tregun e transferimeve është gjashtë milionë euro.