Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Japonia e pranon se Lojërat Olimpike mund të shtyhen shkaku i koronavirusit

Foto: Reuters

Japonia e ka pranuar se shtyrja e Lojërave Olimpike të vitit 2020, mund të jetë e paevitueshme shkaku i krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Të dielën Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), ka njoftuar se do të shqyrtojë opsionet gjatë katër javëve të ardhshme me Komitetin Organizativ të “Tokio 2020”, duke e lënë të hapur edhe opsionin e shtyrjes së Lojërave.

Këtë opsion e ka lënë të hapur edhe vet Japonia.

“Nëse është e vështirë që lojërat të mbahen në mënyrë të kompletuar, atëherë vendimi për të shtyrë ato do të jetë i paevitueshëm, pasi shëndeti i sportistëve është prioritet”, ka thënë të hënën në parlament kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.

Edhe kreu i Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, Yoshiro Mori ka thënë se organizatorët po e shqyrtojnë këtë skenar. Por, shqetësimi është te kostoja e lartë që do të jetë nëse vendoset për shtyrjen e lojërave. Ai ka treguar se do të bisedohet gjatë javëve të ardhshme, por skenari i anulimit të lojërave nuk ekziston.

Edhe IOC-ja ka zvogëluar rrezikun për aq sa ishte e mundur Tokio 2020 IOC-ja ka zvogëluar rrezikun për aq sa ishte e mundur

Thirrjet për shtyrjen e Lojërave Olimpike kanë vazhduar. Kanadaja ka kërcënuar me bojkot nëse Lojërat Olimpike nuk shtyhen.

“Komiteti Olimpik dhe Paralimpik i Kanadasë i bën thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të shtyhen Lojërat Olimpike për një vit. Ne jemi në mesin e një krize shëndetësore botërore që është dukshëm më e rëndësishme sesa sporti”, ka thënë Komiteti Olimpik i Kanadasë, që ka paralajmëruar bojkot nëse lojërat mbahen sipas planit.

Australia i ka thënë sportistëve të bëhen gati për shtyrje njëvjeçare të Lojërave Olimpike.

“Komiteti Olimpik i Australisë i thotë sportistëve australianë të përgatiten për Lojërat Olimpike në Tokio në vitin 2021, pas njoftimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për shtyrjen potenciale të lojërave. AOC beson se sportistët tanë duhet të kenë prioritet shëndetin e tyre dhe të personave rreth tyre. Duhet të jenë në gjendje të kthehen te familjet”, është thënë nga Komiteti Olimpik i Australisë.

Po ashtu edhe presideti i Federatës Botërore të Atletikës, Lord Sebastian Coe, ka bërë thirrje për shtyrje të lojërave. 

Edhe Anulimi i Lojërave Olimpike ende është opsion Sport Anulimi i Lojërave Olimpike ende është opsion

Futbollistja japoneze Nahomi Kawasumi të hënën është tërhequr nga xhiro e bartjes së pishtarit olimpik, duke cituar se shqetësohet se mund të infektohet me koronavirus apo të infektojë tjerët, nëse kthehet në vendlindje nga SHBA-ja.

Kawasumi luan për skuadrën Sky Blue FC në SHBA.

“Unë kam marrë vendim në mënyrë që të mos shkaktojë telashe për skuadrën time dhe tifozët e mi”, ka thënë Kawasumi.