Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Abe: Lojërat Olimpike nuk do të mbahen nëse nuk kontrollohet pandemia

Foto: Reuters

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ka bërë të ditur se Lojërat Olimpike Verore nuk do të mund të mbahen vitin e ardhshëm në rast se pandemia COVID-19 nuk kontrollohet.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe qeveria e Japonisë muajin morën vendim për të shtyrë Lojërat Olimpike për një vit, shkaku i koronavirusit. Lojërat, sipas datës së re, do të nisin në korrik të vitit 2021.

“Ne kemi thënë se Lojërat Olimpike dhe Paralimpike duhet të mbahen në formë të kompletuar, në mënyrë që sportistët dhe tifozët të gjithë të marrin pjesë në mënyrë të sigurt. Do të jetë e pamundur të organizohen Lojërat Olimpike në një formë të tillë të kompletuar, nëse pandemia e koronavirusit nuk kontrollohet”, i është përgjigjur Abe një politikani të opozitës, shkruan agjencia Reuters.

Me këtë vlerësim të Abes është pajtuar edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach.

“IOC-ja pajtohet plotësisht me pozicionin e kryeministrit Abe. Nga fillimi i krizës, ne kemi vendosur parimet që Lojërat Olimpike dhe Paralimpike duhen të organizohen në ambient të sigurt për të gjithë të përfshirët. Ky parim ka shtyrë gjitha vendimet tona deri më tash”, ka thënë Bach.

Abe ka thënë se Lojërat Olimpike duhet të organizohen në një mënyrë që t’i tregohet botës se beteja kundër pandemisë së koronavirusit është fituar.