Përfaqësuesja e Japonisë është kualifikuar për herën e shtatë rresht në Kampionatin Botëror. Japonia të enjten triumfoi 2:0 ndaj Australisë për ta prerë biletën për Botërorin që do të mbahet në fund të këtij viti në Katar.
Po ashtu, me këtë humbje, Australia i ka humbur gjasat për kualifikim direkt në këtë ngjarje. Me këtë fitore të Japonisë ndaj Australisë, kualifikimin në Botëror e ka siguruar edhe Arabia nga Grupi B i kualifikimeve të Azisë.
Ky triumf e ka forcuar Japoninë në krye të grupit me 21 pikë, dy më shumë se Arabia Saudite që ka një ndeshje më pak të luajtur. Ndërkohë, Australia është e treta me 15 pikë pas nëntë ndeshjeve të luajtura.
Megjithatë, Australia mund të sigurojë pjesëmarrjen në Botëror nëpërmjet vendit të tretë, pasi do të luajë në plejof me vendin e tretë të Grupit A, përpara se të përballet në finale me një ekip nga Amerika e Jugut.
Golat për fitoren e Japonisë ndaj Australisë, i shënoi rezervisti Kaoru Mitoman në fund të ndeshjes.