Ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, ka thënë se nuk kishte pasur rastin që të dëshmohej para Jose Mourinhos për të mbetur akoma në Premier Ligë.
Ylli i Real Sociedadit ka thënë për “SkySports” se trajneri portugez nuk i dha shansin që të tregonte talentin duke e shitur në drejtim të Spanjës.
Januzaj ishte i huazuar te Sunderlandi para se portugezi të niste sezonin e parë me Unitedin, dhe më pas u shit në Spanjë më 2017.
“Nuk e pata në të vërtetë shansin sepse në atë kohë, ai me gjasë donte më shumë lojtarë me eksperiencë dhe emër. Për mua nuk ishte problem. Më duhej të largohesha dhe tani jam i lumtur në Spanjë dhe po bëj dallimin. Gjithmonë e kam ditur se kam kualitetin për të luajtur për Manchester Unitedin. E di se çfarë jam në gjendje të bëj. Nuk më dhanë shansin, por nuk ka problem sepse jam i lumtur në Spanjë dhe po shijoj futbollin”, ka thënë reprezentuesi i Belgjikës.
23-vjeçari ka shtuar se beson që “Djajtë e Kuq” do të kthehen së shpejti në formë dhe do të luftojnë për titull kampioni, por për këtë ka thënë se “duhet të marrin vendimet e duhura”.