Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Januzaj nuk ka çka t’i dëshmojë Unitedit, synon ta mposhtë atë

Futbollisti i Real Sociedadit, Adnan Januzaj, insiston se nuk ka as arsyen më të vogël ta dëshmojë veten kur të përballet me ish-klubin e tij, Manchester Unitedin.

Januzaj ka thënë se me padurim e pret duelin kundër “klubit që e dashuron” por ka shtuar se është penduar që nuk u largua më herët nga Manchester Unitedi. Januzaj në verën e vitit 2017 u largua nga ekipi anglez për t’iu bashkuar Sociedadit, ku është njëri prej lojtarëve më të vlerësuar.

Në fakt Januzaj është rritur si lojtar në Akademinë e Manchester Unitedit përpara se të shitej tek ekipi spanjoll. Te enjten, Sociedadi do të përballet me Unitedin në ndeshjen e parë të 1/16 të finales të Ligës së Evropës. Kjo ndeshje do të luhet në Torino për shkak të masave të rrepta të Spanjës në lidhje me koronavirusin.

Januzaj thotë se është i gatshëm për këtë duel dhe shton se nuk ka nevojë për motivim shtesë, për shkak se në fushë do të futet për ta ndihmuar Sociedadin të avancojë tutje në këtë garë.

“Unë nuk kam arsye t’i dëshmohem askujt, sepse i di cilësitë e mia. Thjesht nuk kam pse t’i tregoj askujt se sa i mirë jam, duhet të besoj në veten time, të luaj lojën time dhe të jem i lumtur”, ka thënë Januzaj në një intervistë për ESPN. “Unë jam me të vërtetë i lumtur që do të përballem me klubin që e dua. Sapo të jem në fushë nuk do të ketë miqësi, sepse tani luaj për një klub tjetër dhe gjithashtu dua ta fitoj ndeshjen. Unë dua të shkoj me ekipin tim tutje”.

Edhe Januzaj thotë se Sociedadi nuk u frikësohet përballjeve me Mancheter Unitedin Sport Januzaj thotë se Sociedadi nuk u frikësohet përballjeve me Mancheter Unitedin

Historia e Januzajt te Unitedi është e komplikuar. Ai ishte në stol për herë të parë për ndeshjen e fundit të Sir Alex Fergusonit si trajner në vitin 2013, para se të bëhej një yll nën David Moyes sezonin vijues.

Paraqitjet e mira të Januzajt bënë që Manchester Unitedi t’i ofrojë atij një kontratë të re pesëvjeçare në tetor të vitit 2013 dhe gjithashtu ai siguroi një vend te Përfaqësuesja e Belgjikës në Kampionatin Botëror të vitit 2014. Mirëpo, kur Unitedi e zëvendësoi Moyesin me trajnerin holandez Louis van Gaal atë verë, situata ndryshoi tërësisht për Januzajn dhe aspak nuk ishte në favor të tij.

“E kisha Fergusonin dhe Moyesin, trajnerë që kishin besim të madh në mua, por pastaj erdhën të tjerët që donin përvojë më të madhe në ekip. Unë isha djalosh i ri dhe kur je i ri atëherë duhet ta mbyllësh gojën dhe të bësh çfarë të thonë njerëzit. Nuk e kisha trajnerin e duhur për të më shtyrë përpara”, shpjegoi Januzaj. “Kur erdhi Van Gaali ishte shumë vështirë, sepse një ndeshje luaja dhe gjashtë të tjera pushoja. Kështu që fillova ta pyes veten se çfarë po kërkoja aty. Te Moyesi e dëshmova veten kurse te Van Gaali isha i dëshpëruar që nuk kisha minutazh”.

Për shkak se nuk ishte lojtar i rregullt nën urdhrat e Van Gaalit në edicionin 2014/15, që ishte i pari për trajnerin nga Holanda, Januzaj u huazua te Borussia Dortmundi në muajin gusht të vitit 2015. Jose Mourinho e zëvendësoi Van Gaalin në korrik të vitit 2016, kurse Januzaj ishte i huazuar te Sunderlandi përpara se të shitej përfundimisht në verën e vitit 2017 te Sociedadi për 8.5 milionë euro dëmshpërblim. Januzaj insiston se po ta dinte që Van Gaal do të merrte drejtimin e Manchesterit, kurrë nuk do ta kishte firmosur kontratën e re pesëvjeçare. Ai thotë se si 18-vjeçar ka pritur të jetë i destinuar për gjëra të mëdha, pasi klubi i ofroi kontratë afatgjate.

Edhe Vazhdon rënia, Januzaj pritet të kalojë te Cadizi Sport Vazhdon rënia, Januzaj pritet të kalojë te Cadizi

“Nëse në atë kohë do të duhej të zgjidhja të largohem nga klubi para se të vinte Van Gaali një vit më vonë, përfundimisht do ta bëjë një gjë të tillë. Por, në atë kohë Manchesteri insistonte në kontratën e re dhe unë mendova se do të jem pjesë e klubit për një periudhë të gjatë. Nëse do ta dija se një vit pas firmosjes së kontratës do të vinin trajnerë që nuk do të kishin besim në mua, kurrë nuk do të kisha firmosur. Në të vërtetë do të isha larguar diku tjetër ku do ta shijoja lojën time”, është shprehur Januzaj. “Në atë pikë unë thjeshtë doja të largohesha nga klubi në vitin 2017. Unë nuk doja të shkoja më në huazim, doja të shitesha kështu që ishte një situatë vërtetë e vështirë. Të gjitha janë përvoja dhe e di që nuk do ta bëj më atë gabim. Te Sociedadi unë përsëri po mund të shijoj veten dhe futbollin tim”.

Januzaj 26-vjeçar, këtë sezon te ekipi spanjoll ka shënuar dy gola dhe ka bërë po aq asistime në 21 ndeshje në të gjitha garat. Ai ka kontratë me Sociedadin deri në verën e vitit të ardhshëm.