Hendbollisteve të Istogut u ka mjaftuar edhe barazimi në ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës kundër Ferizajt. Megjithatë, Istogu u kujdes që të triumfojë edhe në ndeshjen e dytë për t’u konfirmuar kampion i Kosovës për sezonin 2021/22. Në duelin e luajtur të mërkurën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Istogu e mposhti ekipin vendas me rezultatin 26:25. Me një gol dallim, Istogu kishte triumfuar ndaj Ferizajt (32:31) edhe në duelin e parë që u luajt vikendin e shkuar në Istog. Me rezultatin e përgjithshëm 2:0 në këtë seri finale, Istogu e përmbyll sezonin si kampion i vërtetë.
Në fakt, ekipi i trajnerit Faruk Shala i ka fituar të gjitha ndeshjet e këtij edicioni në kuadër të Kampionatit të Kosovës. Stinorin e rregullt, Istogu regjistroi 22 fitore në po aq ndeshje të zhvilluara, ndërsa në serinë gjysmëfinale e eliminoi Vushtrrinë që sezonin e shkuar u shpall kampione me rezultatin e përgjithshëm 2:0. Për Istogun, ky është titulli i dytë në histori të klubit. Të parin e pati fituar në sezonin 2018/19. Kapitenia e Istogut, Yllka Shatri, tha se titulli i fituar ishte plotësisht i merituar duke pasur parasysh serinë prej 26 ndeshjeve në total pa humbje.
“Pas një pune të gjatë dhe të lodhshme, e kthyem titullin e kampionit në shtëpi edhe pse me shumë sfida e lëndime, në fund ia dolëm dhe triumfuam. Ky sukses nuk ishte i rastësishëm pas të gjitha fitoreve me radhë. Jemi të lumtur për titullin që do ta shijojmë dhe do të përgatitemi për Kupën e Kosovës”, deklaroi Shatri, e cila trofeun e kampionit e pranoi nga kreu i FHK-së, Eugen Saraçini.
Skuadra e Istogut gjatë tërë ndeshjes ishte në epërsi ndaj Ferizajt, e cila në 15-të minutat e fundit të përballjes shkoi deri në pesë gola. Pjesën e parë, Istogu e mbylli me rezultatin 16:13. Më e dalluara te Istogu në këtë ndeshje ishte Natalia Millatoviq.
Millatoviq ndeshjen e mbylli me shtatë gola të shënuara, ndërsa Esma Muratoviq shtoi pesë sosh. Te Ferizaj, që stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e tretë, më efikasja ishte Legia Da Costa me pesë gola të realizuar. Turneu final i Kupës së Kosovës zhvillohet pas dhjetë ditësh, pikërisht në Ferizaj. Në konkurrencën e meshkujve, çështja e titullit të kampionit mund të mbyllet në ndeshjen e dytë të serisë finale, që luhet të enjten në kryeqytet mes Prishtinës dhe Besa Famgas. Në duelin e parë të luajtur në Pejë, Besa Famgas ka shënuar fitore me rezultatin 38:30 dhe në të dytin i mjafton edhe barazimi për ta siguruar titullin e radhës. Kjo ndeshje luhet prej orës 20:00. Besa Famgas ka dominuar plotësisht këtë edicion, duke shënuar 31 fitore rresht.
Skuadra nga Peja është kampione në fuqi dhe e ka fituar titullin në tetë edicionet e fundit të elitës së hendbollit kosovar.