Ardian Ismajli dhe Nedim Bajrami janë mposhtur nga skuadra e Romës.
Empoli të hënën në mbrëmje në kuadër të xhiros së gjashtë të elitës së futbollit italian, pësoi disfatë me rezultatin 2:1. Roma fitoi për herë të parë pas dy disfatave të njëpasnjëshme, në ligë e në Ligën e Evropës, kurse Empoli mbetet pa fitore në fillim të këtij kampionati.
Ismajli ishte titullar dhe e kompletoi ndeshjen te Empoli, ndërsa Bajrami u inkuadrua në minutën e 63-të.
Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, ishte në bankën rezervë, kurse te Roma, Marash Kumbulla mungoi shkaku i një lëndimi muskulor.
Paulo Dybala shënoi për epërsinë e Romës në minutën e 17-të, me gjuajtje shumë të fuqishme e të saktë nga distanca.
Mesfushori Filippo Bandinelli i barazoi shifrat për vendësit në minutën e 43-të. Ai shënoi me kokë.
Golin e fitores, Roma e shënoi në minutën e 71-të, por deri në fund pati dramë në stadiumin e Empolit.
Lorenzo Pellegrini dështoi të realizonte për golin e qetësisë në minutën e 77-të nga penalltia, kurse tre minuta para fundit, me të kuq u ndëshkua mbrojtësi i vendësve, Jean-Daniel Akpa Akpro.
Pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara, Roma pozicionohet në vendin e pestë me 13 pikë, një më pak se liderët, Napoli, Atalanta e Milan.
Empoli është në pozitën e 16-të me 4 pikë në gjashtë ballafaqime.