Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ishulli i vogël, Komorosi, gati për debutim në Kupën e Afrikës

Larg pyetjeve nëse Kupa e Afrikës (AFCON) do të zhvillohet në mes të pandemisë, kombi i vogël i Komorosit është përgatitur për debutimin e tij në skenën më të madhe të kontinentit.

Arritja e kualifikimit për turneun e futbollit të Afrikës, që po mbahet në Kamerun, është e vështirë të mbivlerësohet duke pasur parasysh madhësinë dhe historinë e futbollit të Komorosit. I vendosur në brigjet lindore të Afrikës, Komorosi është vendi i katërt më i vogël i kontinentit me një popullsi prej më pak se 900.000 banorësh. I njohur me nofkën “Les Coelacanthes” - emërtim që vjen nga një specie e rrallë peshku tropikal që banon në ujërat vendase të Oqeanit Indian – Komorosi u pranua si anëtar i FIFA-s, organi qeverisës global i futbollit, vetëm në vitin 2005.

Ëndrra për të arritur në Kupën e Afrikës, u bë realitet në mars të vitit 2021 pas një barazimi të vështirë 0:0 kundër Togos, por historia e suksesit të pamundur të Komorosit mund të gjurmohet në vitin 2014 kur përzgjedhësi Amir Abdou mori drejtimin e ekipit dhe kishte një vizion të qartë. Në infrastrukturën e kufizuar të futbollit në Komoros, Abdou zgjodhi të mbështetej në diasporën e vendit, veçanërisht në Francë, për të gjetur grupin më të mirë të lojtarëve të mundshëm. Abdou pranoi se ky nuk ishte proces i lehtë pasi shumë nga lojtarët, të lindur dhe rritur në Evropë, ishin të pasigurt për mundësinë që të luajnë për Komorosin.

“Kur je një vend i vogël u propozon një projekt këtyre lojtarëve, është shumë e vështirë t'i bësh ata të pranojnë pasi ata nuk e dinë se çfarë mund t’u ofrojmë atyre sa i përket edhe sigurisë”, tha ai.

Abdou mori një qasje të sinqertë ndaj procesit të bindjes dhe u takua me lojtarët në fjalë për të krijuar marrëdhënie të mirë me ta: “Ne patëm një bisedë me të gjithë lojtarët tanë që ishte shumë e rëndësishme për t'i bindur ata dhe për të ndërtuar një besim të ndërsjellë mes nesh”.

Edhe Komorosi fiton zemrat e tifozëve të futbollit Sport Komorosi fiton zemrat e tifozëve të futbollit

Fillimi i udhëtimit

Një nga lojtarët e bindur nga projekti i Abdou është edhe Fouad Bachirou, mesfushori 31-vjeçar i Komorosit, i cili aktualisht luan për FC Omonian në Qipro. Bachirou u bashkua për herë të parë me ekipin në vitin 2014 dhe i jep merita të mëdha trajnerit për krijimin e një mjedisi konkurrues që ishte tërheqës për të dhe bashkëlojtarët e tij.

“Viti 2014 ishte kur gjithçka ndryshoi - kur Amiri erdhi në vend dhe vendosi të shikonte në mbarë botën për lojtarë. Ai përpiqej të vendoste më shumë organizim rreth të gjithë ekipit dhe federatës. Ndikimi i tij ishte i madh për shumicën e lojtarëve që erdhën të luajnë për Komorosin”, tha Bachirou.

Abdou është i prirë t'i kthejë këto lëvdata te lojtarët e tij, të cilëve ai iu referohet si “patriotët e vërtetë, sepse dashuria që ata kanë për vendin e tyre shkon përtej futbollit”.

Kjo ndjenjë patriotike konfirmohet nga një sërë emocionesh të lojtarëve kur ata kujtojnë barazimin me Togon në mars të vitit të shkuar. Bachirou e konsideron atë si “momentin më të mirë të karrierës së tij në futboll”, ndërsa shoku i skuadrës dhe bashkatdhetari i tij Said Bakari , i cili luan për RC Waalwijkun në Eredivisie të Holandës, e quajti fundin e ndeshjes si një “moment vërtet të bukur”.

Abdou dhe lojtarët e tij nuk janë të vetmit që u kënaqën me suksesin kualifikues të skuadrës. Ekipi ka pasur prej kohësh ndjekës të fortë në ishuj dhe rritja e fatit në vitet e fundit e ka kthyer atë ndjenjë në fanatizëm të plotë.

“Kur skuadra arrin në Komoros për ndeshje, vendi ndalon 15 ditë më parë pasi njerëzit jetojnë përmes ekipit. Ka një gëzim, jo ​​vetëm një gëzim, por një shpërthim - sikur të kemi fituar Kupën e Botës ose Ligën e Kampionëve. Është e mahnitshme. Është krejtësisht e çmendur dhe e vështirë për t'u përshkruar”, thotë Abdou.

Bakari nuk mund ta fshihte buzëqeshjen, ndërsa fliste për skenat në ishull, menjëherë pas rezultatit kundër Togos.

“Gjithçka që mund t'ju them është se ishte çmenduri. Të gjithë njerëzit u çmendën”, tha ai.

Edhe Të veçantat e përfaqësueses së Komoreve, kundërshtares së Kosovës Futboll Të veçantat e përfaqësueses së Komoreve, kundërshtares së Kosovës

E fjalët e tij, i mbështeti edhe Bachirou.

“Çdo ndeshje që kemi luajtur më parë, gjithmonë është ndier si një festë, rezultati nuk ka rëndësi. Por, ky kualifikim thjesht e çoi atë në një nivel tjetër. Ndihej sikur njerëzit po festonin për ditë, javë. Ne jemi një vend i vogël, një vend i varfër, kështu që për të sjellë një buzëqeshje, për t'u sjellë gëzim njerëzve ishte një ndjenjë për të cilën jemi vërtet krenarë”, shtoi Bachirou.

“Ne besojmë në forcat tona”

Shorti për fazën e grupeve në Kupën e Afrikës, sigurisht se nuk ishte aspak i lehtë për Komorosin, i cili është pjesë e Grupit C së bashku me Ganën, Marokun dhe Gabonin. Ndeshjen e parë në këtë turne, Komorosi e luan të hënën kundër Gabonit në kryeqytetin e Kamerunit, Yaounde. Abdou dhe lojtarët e tij, insistojnë se nuk kanë frikë nga sfidat përpara. Skuadra ka qenë duke u përgatitur në kampin stërvitor në Arabinë Saudite dhe trajneri ishte i prirë të theksonte se skuadra e tij është rehat përballë kundërshtarëve kaq të fortë.

“Këto janë skuadra që ne i njohim. Duke luajtur kundër këtyre skuadrave, na bënë të ndihemi edhe më mirë pasi jemi të motivuar për rezultate pozitive. Ne besojmë në forcat tona dhe nuk kemi aspak presion. Në fakt, presioni do të jetë mbi kundërshtarët tanë”, insistoi Abdou.

Lojtarët mendojnë se lidhja e tyre e ngushtë dhe ndikimet evropiane kanë kontribuar në suksesin e Komorosit dhe shpresojnë se mund të kenë sukses edhe në fazën e grupeve. Bakari e përshkroi marrëdhënien midis shokëve të skuadrës “si vëllezër”, ndërsa Bachirou shtoi se “ne të gjithë kemi lindur dhe jemi rritur në Evropë dhe ne mund ta sjellim atë përvojë taktike, që do të thotë se jemi një ekip i vështirë për t’u mposhtur”.

Lojtarët janë të fokusuar ta përqafojnë mungesën e presionit dhe të shijojnë turneun.

“Për ne është një ëndërr. Për mua është një ëndërr të përfaqësoj vendin tim në këtë turneu”, tha Bakari. “Ne do të luajmë kundër lojtarëve më të mirë në Afrikë, lojtarëve më të mirë në botë. Ne nuk kemi frikë, siç thashë, dhe ne thjesht po përpiqemi të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur. Ne do të dalim në fushë për të fituar”.

Edhe Kombëtarja afrikane mund ta luajë ndeshjen e eliminimit direkt pa portier Sport Kombëtarja afrikane mund ta luajë ndeshjen e eliminimit direkt pa portier

Ndërkohë, Bachirou thotë se nëse kanë rezultate të mira në Kupën e Afrikës, atëherë festa do të shpërthejë në ishullin e Komorosit.

“Nëse suksesi do të ndodhë në këtë turne, unë jam shumë i frikësuar për Komorosin, të jem i sinqertë. Nuk jam i sigurt se ishujt do të jenë në gjendje të mbajnë festën e njerëzve. Kjo do të ishte e pabesueshme, do të ishte e mahnitshme”.