Sport

Ish-reprezentuesja e Shqipërisë merr drejtimin e kampiones kosovare

Titullin e katërt dhe kupën e katërt rresht me Mitrovicën, Suada Jashari do t’i kërkojë si trajnere e kësaj skuadre të futbollit.

Suada Jasharit, që në stinorin vjeshtor ishte futbolliste aktive e KFF Mitrovica, të martën i është besuar posti i kryetrajneres. Këtë e ka konfirmuar klubi mitrovicas, kurse Jashari me t’u emëruar trajnere, i ka thënë lamtumirë karrierës aktive, pas 18 vjetësh si lojtare.

Jashari si futbolliste ka fituar me ekipin e Mitrovicës tre tituj të kampionit të Kosovës dhe tri Kupa të Kosovës. Edicionin aktual, të lënë në gjysmë si lojtare, synon ta mbyllë me sukses të dyfishtë, tani si trajnere.

Jashari për KOHËN ka pranuar se nuk ka pritur që kaq herët t’i ofrohet mundësia për të punuar në postin e trajneres, profesion të cilën e ka menduar se do ta ketë në të ardhmen. Sipas Jasharit, ishin krerët e klubit që insistuan që ajo ta pranojë pozitën e trajneres. Ajo thotë se nuk e pret aspak lehtë, sidomos te skuadra që është kampione në fuqi. Jashari pranon se stinori pranveror do të jetë një sfidë për të, duke pasur parasysh se për herë të parë do ta ndihmojë KFF Mitrovicën jashtë vijave të fushës.

“Pjesë e ekipit të Mitrovicës jam për më shumë se tre vjet, kurse postin e kryetrajneres vendosa ta pranoja pas propozimit të kryetarit të klubit, Hajrullah Haxhiu. E shikuam së bashku projektin e ekipit për të ardhmen dhe pranova postin. Është hera e parë për mua që do të punoj si trajnere dhe natyrisht që do të jetë një sfidë e madhe, ndonëse kam menduar që në të ardhmen të merrem me këtë zeje. Nuk e kam menduar se do të filloj kaq herët, por jam e gatshme”, tha Jashari (32). “E kam parasysh që si trajnere kam përgjegjësi më të madhe, në veçanti te një ekip që është kampion. Mirëpo, me mbështetjen e stafit, kryesisë dhe ish-bashkëlojtareve të mia besoj se do t’ia dal”.

Edhe si trajnere Jashari është e bindur se nuk do t’i mungojnë sukseset me ekipin mitrovicas dhe qysh në tentimin e parë ajo synon të fitojë trofetë. Në të vërtetë, Jashari si futbolliste e ka lënë Mitrovicën si kampione dimri dhe tani si trajnere synon ta shpallë kampione të edicionit. Pas dhjetë ndeshjeve të luajtura, Mitrovica i prin tabelës me 30 pikë, është ekipi i vetëm në Ligën e Femrave që i ka fituar të gjitha ndeshjet e vjeshtës.

“Me t’u emëruar trajnere, unë jam përshëndetur nga futbolli aktiv dhe mund të them se me karrierën time si lojtare jam shumë e kënaqur për shkak se nuk më kanë munguar sukseset”, pranon Jashari, të cilës i ka mbetur peng që nuk ka mundur të luajë diku në Evropë për shkak të dokumentacionit. “Me Mitrovicën i kam fituar tre titujt dhe tri kupat e fundit të Kosovës, kurse titullin e katërt dhe kupën që i kam nisur si lojtare dua t’i fitoj si trajnere”.

Jashari ka karrierë të gjatë në futbollin e femrave, të cilën e ka nisur në vitin 2003. Karrierë ka bërë edhe në Shqipëri, ku gjithashtu nuk i kanë munguar sukseset. Edhe në Shqipëri ka fituar trofe të shumtë.

Për shumë vjet ka qenë reprezentuese e Shqipërisë.

Jashari ka luajtur si sulmuese e krahut, kurse karrierën e ka nisur te Kosova e Prishtinës, ekip ku ka shijuar sukseset e para dhe ishte shpallur një herë lojtarja më e mirë e vitit. Pas Kosovës së Prishtinës, Jashari e ka vazhduar karrierën te ekipet e Shkodrës, Juban Danja e Vllaznia, përpara se të kthehet në Kosovë për të luajtur për Mitrovicën.

“Karrierën e kam nisur te Kosova e Prishtinës, ekip me të cilin kam fituar dy tituj kampioni dhe dy kupa të Kosovës. Pastaj kam vazhduar te Juban Danja, ku kam fituar një kupë të Shqipërisë përpara se t’i bashkohem Vllaznisë, ekip me të cilin kam fituar katër tituj dhe po aq kupa. Pastaj jam kthyer në Kosovë te Mitrovica ku sukseset nuk më kanë munguar”, tregon Jashari, që është paraqitur edhe në garat evropiane në nivel klubesh, përkatësisht Ligë të Kampionëve.

Mitrovica ka kohë që dominon futbollin e fermave në vend. Është klub dukshëm më i organizuar ndërkohë që liga nuk vlerësohet shumë konkurrente.