Basketbollisti që ka bërë karrierë në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA, Vander Blue, është transferuar për vetëm një arsye te skuadra e Golden Eagle Yllit.
27-vjeçari po synon të shkruajë historinë tek ekipi nga Suhareka, të cilin insiston se do ta udhëheqë drejt titullit të kampionit, shkruan Koha Ditore.
Pas humbjes në finalen e Kupës së Kosovës muajin e shkuar, Ylli është i vendosur që këtë edicion ta mbyllë me titull, që do të jetë trofeu i parë në histori të klubit. Për këtë arsye, Ylli ka forcuar radhët e veta me amerikanin 27-vjeçar.
Blue ditë më parë i është bashkuar ekipit, kurse të shtunën (sot) do të debutojë në duelin kundër Sigal Prishtinës, ndeshje që i takon xhiros së 27-të në Superligën e Kosovës në basketboll dhe nis në orën 19:00 në Prishtinë.
Blue është i gatshëm dhe maksimalisht i motivuar për të debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme te skuadra nga Suhareka. Ai kërkon fitore ndaj Prishtinës, pasi synimet e tij janë të mëdha me fanellën e Yllit.
Aktualisht, Ylli është i treti në tabelë me 39 pikë, një më pak se Sigal Prishtina që kryeson. Këtë vit, Ylli në shtatë ndeshje kampionale që i ka luajtur, ka gjashtë fitore.
“Jam plotësisht i gatshëm dhe me padurim pres debutimin tim tek Ylli dhe synimi është që këtë aventurë ta nisi me këmbë të mbarë, pra fitore”, ka thënë Blue të premten për gazetën.
Në fakt, Blue (193 cm) te skuadra e Yllit është transferuar me bujë të madhe, falë bagazhit që e ka edhe në NBA. Ai në ligën më të fortë të basketbollit i ka luajtur dhjetë ndeshje në total me dy prej skuadrave të mëdha, siç janë Boston Celtics e Los Angeles Lakers.
Blue te Bostoni i ka regjistruar tri paraqitje dhe ka luajtur me një mesatare prej 1.7 pikëve derisa te LA Lakers ka shtatë ndeshje. Ai te LA Lakers ka luajtur në dy raste (2014/15, 2017/18) me një mesatare prej 11 pikëve...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)