Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA) është përjashtuar nga familja olimpike të enjten, duke u dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare pas kundërshtimit të këshillave dhe instruksioneve nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
Boksi megjithatë do ta mbajë statusin e sportit olimpik në Lojërat Olimpike 2024 në Paris.
IOC-ja ka votuar për përjashtimin e IBA-së. Rezultati i votimit ishte i pashmangshëm pas rekomandimit të dhënë dy javë më parë nga Bordi Ekzekutiv i IOC-së, ku president është Thomas Bach.
Votat ishin 69 - 1 për përjashtimin e IBA-së, ndërsa dhjetë anëtarë abstenuan.
Boksi nuk ka qenë në rrezik për t’u larguar nga Olimpiada përgjatë katër vjetëve, qëkur IOC-ja suspendoi trupin qeverisës të këtij sporti nga i cili u kërkuan ndryshime.
Edhe
Zyrtare, boksi kthehet në programin olimpik
“Ne e vlerësojmë shumë sportin e boksit. Ne kemi një problem jashtëzakonisht të madh me IBA-n për shkak të qeverisjes së saj”, u ka thënë Bach anëtarëve të IOC-së gjatë takimit “online”.
Mosmarrëveshja u përqendrua në menaxhimin e presidentëve të IBA-s nga Uzbekistani dhe Rusia me të cilët nuk pajtohej IOC-ja, pasi ata përkraheshin financiarisht nga firma shtetërore e energjisë ruse “Gazprom”.
“Boksierët meritojnë plotësisht të qeverisen nga një federatë ndërkombëtare me integritet dhe transparencë”, ka shtuar presidenti i IOC-së.
IOC-ja tashmë i sheh garat e boksit në Olimpiadën e Parisit pa përfshirjen e IBA-s, ashtu siç ndodhi në Lojërat e Tokios në vitin 2021.
Ishte e paqartë nëse boksierët që përfaqësojnë federatat që janë të lidhura me IBA-n do të kenë të drejtë për të garuar në Paris.
Boksi tani mund të konfirmohet në programin e Lojërave Olimpike “Los Angeles 2028”, të cilin IOC-ja dhe Bach e përdorën kundër IBA-s. Anëtarëve u është thënë të enjten se boksit i është “garantuar” paraqitja në Los Angeles.
Sporti është i mirë për imazhin olimpik – 25 shtete të ndryshme kanë fituar medalje në Tokio, nëntë prej tyre morën të arta – dhe IOC-ja vazhdimisht ka thënë se problemi ishte me zyrtarët e boksit, jo me boksierët.
“E vlerësojmë boksin si një prej sporteve globale. Ne përkrahim vlerat e boksit”, ka thënë Bach, duke e përgëzuar “rolin e rëndësishëm social” të këtij sporti.
Edhe
“World Boxing” pranohet përkohësisht në IOC
IBA-ja ka reaguar pas lajmit për largim nga Lëvizja Olimpike. E ka quajtur “katastrofë” për boksin dhe në komunikatë ka përmendur “Gjermaninë fashiste”.
“Vlen të përmendet se në këtë ditë, 82 vjet më parë, Gjermania fashiste bëri sulme mbi qytetarë paqësorë të Bashkimit Sovjetik, duke rezultuar në përshkallëzimin e luftës dhe shkaktimin e një tragjedie njerëzore. Nuk mund ta fshehim faktin se vendimi i sotëm është katastrofal për boksin global dhe kundërshtojmë hapur pretendimet e IOC-së se po punon për interesat e boksit dhe boksierëve”, thuhet në reagimin e IBA-së.
Boksi Olimpik ka pasur reputacion jo të mirë për dekada. U karakterizua me gjykimet famëkëqija të Lojërave të Seulit 1988 që i mohuan amerikanit të kategorisë së mesme Roy Jones Jr. medaljen e artë kundër boksierit vendës Park Si-hun. Jones, i cili tani ka nënshtetësi ruse, ishte përfshirë nga IBA vitin e kaluar për ta mbështetur luftën e saj kundër IOC-së.
Kishte akuza para Lojërave Olimpike të Londrës 2012 për marrëveshje për kurdisje si dhe dyshime të mëtejme për integritetin e meçeve nga boksierët në Lojërat Olimpike “Rio de Janeiro 2016”.
Federatat kombëtare kundërshtuan paralajmërimet e IOC-së në vitin 2018 dhe zgjodhën për president Gafur Rakhimovin. Biznesmeni nga Uzbekistani dyshohet se ka pasur lidhje me krimin e organizuar dhe trafikimin e heroinës.
Zgjedhja e Umar Kremlevit për ta zëvendësuar Rakhimovin në vitin 2020 pasoi një tjetër raund të IOC-së me paralajmërime, të cilat nuk u përfillën.
Borxhet e IBA-s u afroheshin 20 milionë dollarëve të cilat u pastruan nën drejtimin e Kremlevit dhe IOC-ja kundërshtoi mbështetjen financiare të “Gazpromit”.
Edhe
Kosova pranohet në “World Boxing”, plotësohet kriteri për njohje olimpike
Kremlev njoftoi muajin e kaluar në kampionatin botëror se IBA nuk sponsorizohej më nga “Gazpromi” dhe retorika e tij kundër zyrtarëve olimpikë u bë edhe më ballafaquese.
IOC-ja tani mund të fillojë të punojë me një organizatë rivale të krijuar këtë vit e që quhet “World Boxing”. Ajo ka marrë mbështetje nga zyrtarët në SHBA, Zvicër dhe Britani, federatat nacionale të cilat i rezistuan lidershipit të Kremlevit në IBA.