Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Investitorët nga Bahrejni në bisedime për ta blerë Milanin

Një firmë e kapitalit privat me bazë në Bahrejn është në bisedime ekskluzive për të blerë kampionin e shtatëfishtë të Evropës, Milani, dhe për t'u bërë investitori i parë i ligës italiane në Lindjen e Mesme, ka shkruar të premten AP. Blerja nga “Investcorp” mund të bëjë që lideri i Serie A të shitet për rreth 1 miliard euro, tha personi i afërt me këtë proces. Personi foli në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar të diskutonte detajet e bisedimeve ekskluzive që filluan këtë muaj. Firma mbrojtëse me bazë në SHBA, “Elliott Management”, e ka në pronësi Milanin që nga viti 2018, pasi ish-pronari kinez nuk arriti të shlyente një pjesë të një kredie. Milani nuk pranoi të komentonte rreth çështjes së blerjes nga kompania e Bahrejnit. “Investcorp”, që u themelua në Bahrejn në vitin 1982, u hoq nga bursa e Bahrejnit vitin e kaluar pas gati katër dekadash, ndërsa vazhdon zgjerimin e saj global të investimeve. Kryetari ekzekutiv i “Investcorp”, Mohammed Alardhi, është përfshirë në bisedimet me Milanin. Me zyrë në të gjithë Lindjen e Mesme, SHBA, Evropë dhe Azi, “Investcorp” ka asete me vlerë më shumë se 37 miliardë dollarësh, duke përfshirë investimet e korporatave, pasuritë e paluajtshme dhe fondet mbrojtëse. Marrja e mundshme e gjen Milanin në luftë për titull kampioni në Serie A me gjashtë ndeshje të mbetura deri në fund. Milani po synon ta fitojë titullin e parë që nga viti 2011 dhe të 19-tin në përgjithësi, pas një periudhe dominimi nga Juventusi që u thye nga Interi vetëm sezonin e kaluar. Dy klubet e qytetit të Milanos ndajnë stadiumin “San Siro” dhe po kërkojnë të ndërtojnë bashkërisht një stadium të ri si pjesë e projektit “The Cathedral”. Milani po kërkon gjithashtu një investim që do t'i lejonte skuadrës të kthehet në majat e futbollit evropian pasi nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve që nga viti 2007, kur ishte në pronësi të ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi. Skuadra, e cila përmban yllin suedez Zlatan Ibrahimoviq, u eliminua në fazën e grupeve të Championsit në dhjetor pasi i dha fund një mungese prej shtatë sezonesh në garën më elitare të UEFA-s. Milani raportoi borxhe prej rreth 100 milionë eurosh në vitin e fundit financiar, deri në qershor 2021, pasi klubi raportoi humbjet e ndikuara nga pandemia. Ndërsa “Investcorp” do të shënonte hyrjen e investimeve të Lindjes së Mesme në Serie A, Premier League ka financimin e Abu Dhabit te Manchester Cityt dhe pronësinë saudite të Newcastlet, ndërsa investimet e Katarit kanë transformuar Paris Saint-Germainin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo