Fituesi i Kupës së Botës, mesfushori Andres Iniesta, ka thënë se të rinjtë e Spanjës kanë eksperiencë me ekipet seniore dhe e kanë potencialin për të shënuar sukses në skenën ndërkombëtare.
“Ata janë të rinj por janë lojtarë të ekipeve të para, të rëndësishëm dhe me shumë përgjegjësi. Ata e kanë mundësinë të japin më të mirën”, ka thënë ish-futbollisti i Barcelonës, Iniesta, që tani luan për klubin japonez Vissel Kobe.
Iniesta, i cili e shënoi golin e fitores në triumfin e Spanjës në Botëror, dëshiron që ata të shkojnë deri në fund.
“Shpresoj dhe dëshiroj që fituese e Kupës së Botës të jetë Spanja”, ka thënë Iniesta. “Parashikimet e mia janë gjithmonë ambicioze”, është shprehur ai.
Spanja luan kundër Kosta Rikës të mërkurën, para ndeshjeve me Gjermaninë dhe Japoninë në Grupin E.