Domantas Sabonis realizoi dyshifror të trefishtë në pjesën e parë, ndërsa Indiana Pacers ishte rrugës së mbarë që të shënonte fitoren më të thellë në histori të NBA-së në përballje me Oklahoma City Thunder. Në fund Indiana triumfoi në ndeshjen e të shtunës mbrëma me epërsi 57 pikëshe, 152:95.
Sabonis përfundoi ndeshjen me 26 pikë, 19 kërcime e 14 asistime, ndërsa për Pacersin ishte ndeshja me më së shumti pikë të shënuara që kur iu bashkua NBA-së në vitin 1976.
Indiana Pacers ishte në epërsi prej 67 pikëve kur kishin mbetur 4:12 minuta deri në fund të ndeshjes, por Oklahoma shënoi dhjetë pikët e radhës në ndeshje dhe evitoi humbjen rekorde. Fitorja më e thellë në histori të NBA-së mbetet ajo e Clevelandit kundër Miamit në vitin 1991, me 68 pikë epërsi.
Sabonis thotë se kurrë nuk kishte përjetuar një gjë të tillë.
“Kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë, veçanërisht jo në nivel profesionist. Ne as që e kuptonim rezultatin në shumicën e kohës”, ka thënë Sabonis raporton AP.
Edhe
Wembanyama me paraqitje spektakolare, San Antonio mposht Oklahoman
Rekordin e kaluar të pikëve Pacers e kishte 150 të shënuara kundër Denverit në vitin 1982.
“Është turpëruese. Është demoralizuese kjo humbje”, ka thënë trajneri i Oklahoma City, Thunder, Mark Daigneault.