Sport

Ibrakoviq i gëzohet fitores së parë në pranverë

Trajneri i Prishtinës, Abdullah Ibrakoviq është i bindur se fitorja ndaj Feronikelit do të kthejë besimin tek ekipi i tij për pjesën e mbetur të sezonit.

Prishtina triumfoi 3:0 në udhëtim ndaj Feronikelit në ndeshjen e xhiros së 24-të që u zhvillua në Drenas. Për Prishtinën, kjo është fitorja e parë në stinorin pranveror. Me këtë triumf, Prishtina ngrihet në kuotën e 29 pikëve por mbetet në pozitën e gjashtë në tabelë.

“Përgëzoj ekipin e ri të Feronikelit që luftoi gjatë tërë ndeshjes. Sa i përket ekipit tonë, është fitorja jonë e parë në pranverë. Mendoj se loja jonë do të përmirësohet sikurse edhe situata në klub. I përgëzojë futbollistët e ekipit tim për angazhimin. Kemi pritur edhe më herët të fitojmë në ndeshje por nuk ishte lehtë sepse nuk kishim besim. Mendoj se kjo fitore do të ndikojë në vetëbesimin e ekipit dhe pres që të reagojmë pozitivisht”, ka thënë Ibrakoviq.