Sport

Ibrahimoviqi 15-vjeçar nga Kosova, stërvitet me ekipin e parë të Bayernit

“Një emër i madh në stërvitjen e Bayernit – Ibrahimoviq”.

Kështu ka shkruar të hënën gazeta e madhe gjermane Bild. Nuk bëhet fjalë për Ibrahimoviqin e njohur, Zlatanin. Bëhet fjalë për Arijon Ibrahimoviqin (Ibrahimovic), lojtarin e talentuar me prejardhje nga Kosova.

“Unë jam nga Kosova”, kishte thënë Arijon Ibrahimoviq vitin e kaluar për KOHËN. Ai ka kohë që zhvillohet te Bayerni. Ndonëse ende 15-vjeçar, Ibra kosovar ka arritur të ushtrojë me ekipin e parë të Bayernit, të hënën.

“Arijoni është talent i madh në mesfushë dhe kështu është lejuar të marr pjesë në stërvitje të ekipit të parë për herë të parë”, ka shkruar Bild.

Arijoni kishte kaluar te të rinjtë e Bayernit në vitin 2018 nga Nuernbergu. Me 14 vjet ka luajtur për Bayernin U17, duke shënuar dy gola dhe duke bërë tri asistime në nëntë paraqitje. Ai po ashtu ka luajtur për U16 të Gjermanisë. Sipas Bild, bëhet fjalë për një lojtar që është gjysmë gjerman e gjysmë kosovar.

“Jam Arijoni dhe luaj për Bayernin. Aktualisht jetoj në konviktin e klubit bavarez. Prindërit e mi jetojnë në Nuernberg, këtu në Gjermani. Unë shkoj shpesh për pushime në Kosovë. Te Bayerni janë edhe disa lojtarë tjerë nga Kosova dhe me ata kaloj shumë mirë. Jam po ashtu shumë i kënaqur me zhvillimin që po e bëjë te Bayerni”, kishte theksuar Ibrahimoviqi i ri për KOHËN. Ai ka treguar se është me prejardhje nga Prizreni.