Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ibrahimoviq kalon shifrën e 500 golave, Milani fiton 4:0

Zlatan Ibrahimoviq ka kaluar shifrën e 500 golave, derisa ka udhëhequr Milanin drejt një tjetër fitoreje. Sulmuesi veteran të dielën realizoi dy gola në fitoren 4:0 të Milanit ndaj Crotones. Ndeshja i takoi xhiros së 21-të të kampionatit italian, Serie A.

Milani renditet i pari me 49 pikë, dy më shumë se Interi.

Ibrahimoviq shënoi golin e parë në minutën e 30-të. Për 2:0 realizoi në minutën e 64-t, pas asistimit të Theo Hernandez. Ante Rebiq shënoi në minutën e 69-të për 3:0, ndërsa i njëjti lojtar vendosi rezultatin përfundimtar në minutën e 70-të. Për dy golat e Rebiqit asistoi Hakan Calhanoglu.

Ibrahimoviq 39-vjeçar ka tashmë 501 gola në nivel klubesh. Ai ka realizuar për Malmon, Ajaxin, Juventusin, Interin, Barcelonën, Milanin, PSG-në, Manchester Unitedin dhe LA Galaxy. Ibrahimoviq këtë edicion i ka realizuar 14 gola në Serie A.