Shenjëtari Drilon Ibrahimi është sportisti i parë që ka marrë ftesë për ta përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që nisin më 23 korrik dhe përfundojnë më 8 gusht.
Kërkesën për të marrë pjesë në Tokio ia ka aprovuar Komisioni trepalësh.
“Komisioni trepalësh (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare, Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore) në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Shenjëtarisë, se sportistit Drilon Ibrahimi i është ofruar një vend me ftesë”, thuhet në konfirmimin e këtij komisioni dërguar KOK-ut.
Ibrahimi, ishte përfshirë në listën prej gjashtë sportistëve të propozuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës dërguar për shqyrtim Komisionit trepalësh.
Shenjëtari nga Vitia kishte fituar MQS-në, që në sportin e shenjëtarisë njihet si “pikët minimale kualifikuese për Lojërat Olimpike”.
Deri tash, KOK-u ka gjashtë norma olimpike, pesë nga sporti i xhudos dhe një nga mundja, ndërsa tri ftesa të univerzalitetit janë caktuar, dy për notin dhe një atletikën.
Shpresë për të fituar normë olimpike kanë edhe karateistët dhe boksierja, Donjeta Sadiku.