Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

IBA: Donjeta Sadiku bëri krenar vendin e saj

Sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA) ka shkruar se Donjeta Sadiku e ka bërë krenare Kosovën. Sadiku të hënën mbrëma siguroi medaljen në Botërorin e boksit që po mbahet në Stamboll. Ajo e mposhti tajvanezen Shih-yi Wu në çerekfinalen të kategorisë deri 60 kilogramë. Kështu e ka të sigurt të paktën medaljen e bronztë.

Është medalja e parë e Kosovës në një ngjarje të madhe boksi.

Donjeta të mërkurën paraqitet në gjysmëfinale. Përballë do ta ketë amerikanen Rashida Ellis.

“Boksierja kosovare nuk është rivale e lehtë për yjet. Ajo ka goditje të forta dhe asnjëherë nuk heq dorë. Sadiku e vuri në presion rivalen në raundin e tretë dhe pas një kombinimi goditjesh, gjyqtari i numëroi boksieres nga Taipei Kinez. Sadiku ka fituar medalje në Botërorin për juniore në vitin 2015. Por kjo është gara e saj e parë në mesin e sportisteve elitare dhe historike për Kosovën”, ka shkruar IBA për paraqitjen e Donjetës.

Për sajtin e IBA-së ka folur boksierja kosovare.

“Për këtë jemi përgatitur në vitet e fundit, për të fituar medalje në një ngjarje të madhe si Botërori. Ky është më shumë se moment emocional për mua. Është shpërblim për punën e madhe. Po shikoj para drejt gjysmëfinales”, ka thënë Sadiku.

Artikuj të ngjashëm