Sport

“Hendo”, lideri i Liverpoolit me zemër të artë

Kthesa e Cruyffit. Roli i Makeleles. Por, mund të jetë koha për të shtuar në leksikun e futbollit edhe kombinimin Henderson. Sidomos nëse Liverpooli fiton sërish Ligën e Kampionëve, të shtunën.

Jordan Henderson që kërcen pak para se të ngrejë lart një trofe, është bërë një pamje e zakonshme në podiume dhe dhomat e zhveshjes në skenën më të madhe të futbollit. Ka ndodhur gjashtë herë deri më tani - në gjashtë gara të ndryshme - qëkur Liverpooli i dha fund pritjes për trofe nën drejtimin e Juergen Kloppin, duke fituar edhe Championsin në Madrid në vitin 2019.

Që Henderson, një mesfushor 31-vjeçar i palodhur me prejardhje nga klasa punëtore, u bë forca shtytëse pas njërës prej ekipeve më të mëdha të Liverpoolit, është dëshmi e një djaloshi që ka rezultuar i aftë për t'iu përgjigjur kritikëve. Nga fusha e futbollit në Parlamentin britanik. Henderson, në fund të fundit, ka një zemër prej ari për t'u shoqëruar me këmbët e tij të kërcimit.

Ishte Henderson ai që në vitin 2020, kur yjet e futbollit u thirrën nga sekretari i shëndetësisë të Britanisë për të “pranuar një ulje page dhe për të luajtur rolin e tyre” në fillimin e pandemisë, iu drejtua kolegëve të tij kapitenë në Premier League për të udhëhequr një iniciativë për të mbledhur para për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar të mbingarkuar. Ai u nderua për këtë.

Mund të ishte ndier veçanërisht e rëndësishme për Hendersonin që të ndihmonte t'u jepte diçka punonjësve shëndetësorë pas trajtimit të babait të tij për kancer në vitin 2013.

Në mënyrë të përshtatshme, Brian Henderson ishte brenda stadiumit “Wanda Metropolitano” në Madrid për të parë djalin e tij duke ngritur trofeun e Championsit. Ata ndanë një përqafim emocional në fushë pas fitores 2:0 ndaj Tottenhamit, duke bërë një nga imazhet më të spikatura të një finaleje që nisi epokën e fundit të suksesit të Liverpoolit.

“Ju e kuptoni”, tha Henderson për ekipin e tij, “në të vërtetë ka të bëjë me udhëtimin dhe arritjen atje, duke e bërë atë përsëri dhe duke e shijuar atë”.

Udhëtimi i Hendersonit me Liverpoolin filloi në vitin 2011, kur ai u transferua nga trajneri i atëhershëm Kenny Dalglish, tre vjet pasi kishte nënshkruar kontratën e parë profesionale me Sunderlandin.

Brenda një viti Hendersonit iu dha opsioni për t'u larguar nga “Anfield Road”, pasi iu tha në një diskutim të sinqertë me trajnerin e ri të Liverpoolit, Brendan Rodgers, përpara një miqësoreje parasezonale, se ai nuk do ta aktivizonte shumë shpesh atë edicion. Henderson tha se ai “qau pak dhe u shkatërrua”, por vendosi të qëndronte dhe “t’u dëshmojmë të gjithëve se e kishin gabim”.

Në vitin 2015 ai u zgjodh kapiten – pas largimit të Steven Gerrardit - dhe ka vazhduar të fitojë më shumë se Gerrardi ndonjëherë, duke përfshirë atë titull të pakapshëm të Premier Leagues në vitin 2020. Henderson, i ashtuquajtur “Hendo” nga shokët e tij të skuadrës, do të bëhet anglezi i parë që do të drejtojë një ekip në tri finale të Ligës së Kampionëve. Ai e bëri këtë edhe në humbjen e vitit 2018 nga Real Madridi dhe mund t'i bashkohet një grupi të përzgjedhur lojtarësh duke fituar trofeun dy herë. Jo keq për një lojtar që u anashkalua nga trajneri i madh i Manchester Unitedit, Alex Ferguson, për shkak të stilit të tij të vështirë të vrapimit.

“Ne vumë re”, shkroi Ferguson në autobiografinë e tij të vitit 2013, “se Henderson vrapon nga gjunjët, me një shpinë të drejtë, ndërsa futbollisti modern vrapon nga ijët. Ne menduam se ecja e tij mund t'i shkaktonte probleme më vonë në karrierë”.

Mirëpo Henderson është gati të përfundojë edicionin e 14-të të karrierës së tij profesioniste, duke bërë 57 paraqitje për Liverpoolin - më shumë se çdo lojtar tjetër këtë edicion- dhe 62 për klubin dhe Anglinë.

“Fizikisht mendoj se përsëri numrat e mi ndoshta flasin vetë këtë edicion”, tha Henderson. “Kam luajtur shumë ndeshje, jam ndierë shumë mirë”.

Henderson pritet të jetë titullar te Liverpooli ndaj Realit, së bashku me Fabinhon dhe njërin mes Naby Keitas apo Thiago Alcantaras, i cili po lufton për t'u rikuperuar nga një dëmtim. Henderson nuk i përfundon gjithmonë ndeshjet e Liverpoolit dhe është ai lloj menaxhimi i fitnesit që e ka lejuar kapitenin të qëndrojë në gjendje të mirë në këtë sezon rraskapitës, ku ekipi i tij ka luajtur çdo ndeshje të mundshme në të gjitha garat që ka garuar.

“Asnjëherë nuk e dini se kur është shansi i fundit për të luajtur një finale të Championsit. Prandaj mundësia e radhës është më e madhja dhe kjo mundësi të shtunën është e madhe”, tha ai. “Është gjithçka për ne dhe prandaj do të japim gjithçka. Gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt në futboll”.

Me rrugëtimin e tij në karrierë Henderson është personifikimi i kësaj thënie.