Sport

Hendbollistët shpresojnë të vazhdojnë me suksese edhe në nivel klubesh

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) ia ka prezantuar Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF) listën e skuadrave që e kanë të drejtën e paraqitjes në kupa evropiane të edicionit të ardhshëm. Lista është përgatitur në bazë të meritave sportive, përkatësisht në bazë të renditjes përfundimtare pas përfundimit me plot sukses të garave të edicionit 2019/2020. Kampionët, Besa Famgas në konkurrencën e meshkujve dhe Ferizaj te femrat janë paraqitur për të garuar në Ligën Evropiane (EHF European League). Finalistët e plejofit, Prishtina (meshkujt) e Istogu (femrat) janë paraqitur për të garuar në Kupën Evropiane (EHF European Cup).

Në Kupën Evropiane të drejtën e paraqitjes e kanë edhe Trepça e Kastrioti (meshkujt) si dhe Vushtrria e Prishtina (femrat). Por, në fund janë klubet ato që do të vendosin dhe konfirmojnë paraqitjen në garat evropiane dhe të plotësojnë kriteret që i kërkon EHF-ja. Klubet kanë afat për ta konfirmuar pjesëmarrjen deri më 13 korrik. Për të marrë pjesë në Ligën Evropiane, klubet duhet ndër të jeta të kenë të depozituara shumën prej 20 mijë eurove. Në fakt, klubet e hendbollit, por edhe sporteve tjera janë në krizë financiare shkaku i pandemisë së koronavirusit. Por, edhe para koronavirusit, klubet e hendbollit, me përjashtim të Besa Famgas kanë pasur probleme të vazhdueshme si në aspektin financiar ashtu edhe organizativ. Megjithatë, në FFK po shpresojnë që klubet të gjejnë mbështetje financiare për të marrë pjesë. Sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci, ka thënë se konkurrenca në të gjitha garat e hendbollit është e fortë. Por, shpresë të madhe ka se Besa mund të bëjë ndonjë hap pozitiv në garat evropiane. Besa është fituese e titullit dhe Kupës. Ka dominuar plotësisht në nivel vendi, por jo edhe atë ndërkombëtar.

“Besa ka potencial si nga lojtarët ashtu edhe bazën financiare. Por, edhe investimet në lojtar të rinj që pritet t’i angazhojë. Megjithatë konkurrenca është e fortë. Ferizaj e ka të vështirë në Europa League edhe për shkak të organizimit të klubit dhe mungesës së financave e po ashtu edhe fondit të lojtarëve dhe përgatitjes fizike. Do t’ua vështirësojë punën edhe deponimi prej 20 mijë eurosh. Pra, në këto dy konkurrenca klubet janë shumë të forta, kurse në EHF Cup edhe kushtet e pjesëmarrjes, por edhe konkurrenca është më e dobët dhe skuadrat tona mund ta befasojnë minimumi një apo dy raunde”, ka thënë Gjinovci.

Garat evropiane prej këtij edicioni do të zhvillohen në forma tjera. EHF-ja ka bërë ndryshime dhe ka firmosur marrëveshje të reja transmetimi si pjesë e ngritjes së mëtejme të nivelit.