Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendbollistet e reja humbin thellë edhe ndeshjen e dytë në Evropian

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në hendboll (vajzat) po paraqitet në Evropianin e Divizionit B në Shkup. Por fillimi i kampionatit ka qenë shumë i keq për hendbollistet kosovare. Pasi të shtunën u turpëruan nga Holanda duke pësuar me 53:14, të dielën Kosova humbi thellë edhe një ndeshje tjetër. Hendbollistet juniore pësuan nga Ishujt Faroe me 34:15. Madje Kosova i shënoi vetëm dy gola në pjesën e parë, që shumë rrallë ndodhë në hendbollin modern.

Në FHK kanë pranuar se humbjet e thella ishin të papritura. Por kanë konfirmuar se gjendja në këtë përfaqësuese nuk është ajo që synohej.

“Gjithsesi është kjo një humbje e rëndë që dëshmon se ekipi kombëtar nuk është në nivelin e synuar. Ndonëse përgatitjet kanë filluar me kohë dhe përpjekjet e FHK-së ishin për të grumbulluar lojtaret më të mira, në dy ndeshjet e para vajzat kanë shfaqur pak dhe kanë dëshmuar se i pret punë e madhe për t’u paraqitur në nivel më të lartë”, është arsyetuar FHK-ja.

Kosova ndeshjen e ardhshme e luan të hënën ndaj Bosnjë-Hercegovinës, pa shumë shpresë për sukses.