Sport

Udhëtime në gjithë Evropën për skuadrat kosovare të hendbollit

Udhëtime në shumë pjesë të Evropës do të kenë skuadrat kosovare të hendbollit. Plot tetë skuadra janë paraqitur për të garuar në gara kontinentale, si asnjëherë më parë.

Katër skuadrat e hendbollistëve dhe katër të hendbollisteve do të garojnë në Kupën Evropiane, që është niveli i tretë kontinental, pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës Evropiane.

Shorti për dy raundet e para të EHF European Cup është tërhequr të martën në Vjenë.

E para që mësoi kundërshtarin ishte skuadra e hendbollisteve, Prishtina. Ajo po ashtu do ta ketë udhëtimin më të shkurtër. Do të luajë ndaj Vardarit të Shkupit. Ndeshja e parë është në Prishtinë, ndërsa e kthimit një javë më vonë në Shkup.

Ndeshja e para të raundit të dytë të Kupës Evropiane në konkurrencë të femrave luhen më 16 apo 17 tetor, ndërsa të kthimit një javë më vonë. Me raundin e dytë nis edicioni.

Hendbollistet e Ferizaj i pret udhëtim i gjatë dhe dukshëm më i vështirë. Ato do të përballen me skuadrën holandeze JuRo Unirek VZV. Ndeshja e parë është në Holandë, e kthimit në Ferizaj.

Në raundin e dytë të Kupës Evropiane pos Prishtinës e Ferizajt, garojnë edhe kampionia Vushtrria dhe fituesi i Kupës, Istogu.

Vushtrria, që ishte e vetmja bartëse në short, takohet me skuadrën zvicerane, Spono Eagles. Ndeshja e parë është në Vushtrri. Spono Eagles po ashtu vlerësohet kundërshtarë i vështirë.

Ndërkohë istogaset i pret një udhëtim shumë i gjatë. Istogu do të luaj me skuadrën nga Islanda, KA/Por. Në ndeshjen e parë Istogu është vendas.

Në të vërtetë një pjesë e këtyre udhëtimeve mund të mos realizohen, pasi në hendboll ndodh shpesh që të dy ndeshjet të luhen në një vend, për të zvogëluar shpenzimet.

“Përkrahësve u premtojnë se Istogu edhe këtë vit do të mobilizohet maksimalisht dhe do të jetë skuadër e denjë për garat evropiane. Edhe pse kemi të bëjmë me kundërshtar të fortë, nga shteti me hendboll të zhvilluar, Istogu do të jetë arrë e fortë për të gjithë”, thuhet në njoftimin e klubit Istogu.

Skuadrat e hendbollistëve garën në Evropë e nisin shumë më herët. Prishtina, Trepça e Vëllaznimi do të paraqiten në raundin e parë të Kupës Evropiane. Ndeshjet e këtij raundi luhen më 11/12 dhe 18/19 shtator.

Prishtina do të luajë ndaj ekipit nga Austria, Sparkase Schwaz Tirol, kurse në ndeshjen e parë është vendase.

Trepçën e pret një udhëtim i komplikuar në Izrael, ku duhet të luaj me skuadrën Holon Yuvalim. Ndeshja e dytë luhet në Izrael.

Vëllaznimi luan me skuadrën nga Luksemburgu, Kaerjeng. Takimi i parë është në Luksemburg.

Ndërkohë kampionia, Besa Famgas, është e vetmja që starton prej raundit të dytë të Kupës Evropiane. Skuadra pejane sërish do të takohet me Borcin e Banjallukës. Borci është skuadër serbe nga kryeqendra e Republika Srpska të Bosnjë-Hercegovinës. Ndeshja në Pejë, vjet, kishte kaluar pa telashe. Ndërkohë, kishte pasur pano anti-Kosovë dhe thirrje anti-Kosovë të huliganëve në hyrje të palestrës, para ndeshjes së kthimit në Banjallukë.

Borci për një gol kishte avancuar tutje.

“Kampionia jonë natyrisht do ta kërkoj revanshin”, ka njoftuar FHK-ja.

Ka një dekadë e gjysmë që skuadrat kosovare të hendbollit luajnë në kupa evropiane. Por nuk kanë arritur të kalojnë më shumë se një kundërshtar për edicion. Për shumicën, kalimi i një kundërshtari do të ishte sukses edhe këtë edicion. Ndërkohë disa skuadra, si Besa Famgas, kanë synime më të mëdha.