Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, Besa vazhdon dominimin

Besa Famgas ka vazhduar dominimin në hendbollin kosovar. Skuadra pejane të shtunën mbrëma e ka fituar derbin e xhiros së 16-të të Superligës. Në palestrën “Karagaçi” në Pejë, para afro 1000 shikuesve, Besa fitoi ndaj Prishtinës me rezultat të ngushtë, 26:24.

Në të vërtetë derbi i xhiros ishte shumë i fortë dhe është vendosur vetëm në aksionet e fundit, raporton Koha.net. Prishtina ka kaluar herët në pjesën e parë në epërsi dhe atë e ka mbajtur deri në minutën e 48-të. Më pas Besa kaloi në epërsi të lehtë që e mbajti deri në fund.

Besa ka shënuar fitoren e 16-të rresht dhe udhëheq në tabelë me 32 pikë. Prishtina është e dyta me 28 pikë. Të dy disfatat i ka pësuar nga Besa. Ekipi pejan ka fituar gjashtë titujt e fundit dhe po marshon drejtë një titulli të ri.

Kapiteni i Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce ka udhëhequr Besën me 9 gola. Nga pesë i shënuan Egzon Gjuka e Drilon Tahirukaj. Te Prishtina nga pesë gola i kishin Deniz Terziqi e Rron Ramadani.

Të shtunën, Kastrioti fitoi ndaj Llapit me shifrat 44:24. Të premten Vëllaznimi fitoi në udhëtim ndaj Vushtrrisë me rezultatin 36:25.

Image