Sport

Heitinga merr drejtimin e Ajaxit deri në fund të sezonit

Ish-reprezentuesi i Holandës, John Heitinga është emëruar trajner i skuadrës së Ajaxit.

Ekipi nga Amsterdami të enjten e ka prezantuar Heitingan, i cili do të jetë në krye të ekipit deri në fund të këtij sezoni.

Në këtë post, Heitinga e zëvendëson Alfred Schreuderin e shkarkuar javën e shkuar. Heitinga prej fillimit të këtij sezoni, ka qenë trajner i ekipit të dytë të Ajaxit dhe tani ka përgjegjësinë e ekipit të parë.

Detajet e marrëveshjes mes palëve nuk janë bërë të ditura, ndërsa Ajaxi ka lënë të hapur mundësinë që Heitinga të vazhdojë të jetë trajner i ekipit edhe pas sezonit aktual.

39-vjeçari është produkt i akademisë së Ajaxit, ekip për të cilin ka luajtur si profesionist, përpara se ta vazhdojë karrierën tek Atletico Madridi, Evertoni, Fulhami dhe Hertha e Berlinit.

Ai gjithashtu, ka edhe 87 paraqitje me Përfaqësuesen e Holandës.