Garuesja e Belgjikës në hedhje të gjyles dhe hedhje të çekanit, Jolien Boumkwo, ka shfaqur shpirt të lartë ekipor të shtunën.
Në kuadër të Kampionatit Ekipor Evropian të atletikës, që po mbahet në Poloni në kuadër të Lojërave Evropiane, kampionia belge e hedhjeve doli në skenë papritur dhe vrapoi në 100 metra me pengesa. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, me këtë veprim, Boumkwo ka shpëtuar ekipin e Belgjikës nga diskualifikimi.
Every point *does* count at the European Team Championships!
— European Athletics (@EuroAthletics) June 24, 2023
Seventh in the shot put, Jolien Boumkwo ?? steps in for the 100m hurdles at the very last minute in #Silesia2023! ? #EG2023
(@TeamBelgium, @The_EOC) pic.twitter.com/3rhERw9y5I
Boumkwo nuk ka hequr buzëqeshjen nga fytyra derisa i ka kaluar pengesat një nga një. Ajo ishte dukshëm më e gjatë se vrapueset tjera e po ashtu me peshë dukshëm më të madhe. Videoja e vrapimit të gjigantes së Belgjikës është bërë virale. Ajo fitoi simpatinë e tifozëve të atletikës pasi doli në garë në vend të dy vrapueseve që ishin të lënduara.
Po të mbetej pa garuese në këtë ngjarje, Belgjika do të diskualifikohej, ka shkruar Reuters.
29-vjeçarja arriti në cak pa e rrëzuar asnjë pengesë. 100 metrat i vrapoi për 32.81 sekonda. Ishte 19 sekonda më e ngadalshme se sprinterja spanjolle, Teresa Errandonea, që fitoi me kohë prej 13.22 sekonda.
Boumkwo është duartrokitur nga tifozëria në stadium dhe është uruar nga rivalet në vrapimin në 100 metra me pengesa. Me arritjen në cak ajo siguroi dy pikë për Belgjikën. Secila pikë është e vlefshme në Kampionatin Evropian Ekipor.