Derisa po shkonte në vijën e startit të garës së vrapimit 100 metra me pengesa, Jolien Boumkwo u përball fillimisht me konfuzion, më pas me dëfrim dhe pastaj me mbështetje të furishme. Garuesja e Belgjikës në hedhje të gjyles dhe hedhje të çekanit doli si heroinë e papritur në kampionatin ekipor të Lojërave Evropiane që po mbahen në Poloni. Ajo të shtunën e shkuar bëri një veprim që askush nuk do ta kishte pritur.
Lëndimet e vrapueseve të Belgjikës në këtë disiplinë e detyruan Boumkwon të futej në garën me pengesa në minutën e fundit. Vetë gara shkoi ashtu siç do ta imagjinonte gjithkush: ndërsa konkurrentet e saj u larguan përpara, Boumkwo vraponte me kujdes deri në çdo pengesë, të cilën pastaj e kalonte po ashtu me kujdes të shtuar.
“Në kokën time ai vrapim duket pak më elegant sesa ajo që e kam parë në video. Por, ka mundur të jetë edhe më keq. Me rëndësi është se unë e kam përfunduar garën”, ka pranuar Boumkwo.
Boumkwo, e cila përfundoi e shtata në hedhjen e gjyles një ditë më parë, arriti ta përfundonte garën e vrapimit 100 metra me pengesa me kohë 32.18 sekonda – 19 sekonda prapa vrapueses tjetër më të ngadaltë.
“Isha shumë e emocionuar kur pashë sa sekonda apo minuta bëra për ta përfunduar garën”, shprehet Boumkwo. “Mendoj se ishte kohë e mirë për shkak se e përfundova për më pak se një minutë. Kështu që, jam krenare për veten time”.
Edhe
Hedhësja e gjyles vrapoi në 100 metra me pengesa për ta shpëtuar ekipin nga diskualifikimi
Me atletët që merrnin një pikë vetëm për pjesëmarrjen në një ngjarje, 29-vjeçarja vrapoi në garën e 100 metrave me pengesa në një tentim për ta ndihmuar Belgjikën të shmangte rënien nga divizioni i parë.
“Kur e kuptova situatën, mendova me vete se do të ishte për të ardhur keq nëse do të humbnim vetëm për një pikë. Kështu që, këtë pikë vendosa ta merrja unë për ekipin vetëm duke u paraqitur në garë. Dola në start, vrapova dhe mund të them se e shijova çdo moment”, shtoi Boumkwo, e cila po ashtu e shpëtoi ekipin edhe nga diskualifikimi. “Për mua kjo është gjithashtu e rëndësishme, sepse kur je sportiste elitare, atëherë duhet të ndihmosh ekipin tënd”.
Në fakt, Boumkwo thotë se para futjes në garë ajo është konsultuar me trajnerin e saj, i cili nuk e ka penguar të dalë për të vrapuar.
“Fola me trajnerin tim nëse do të kishte ndonjë rrezik për mua që të vrapoja në atë garë. Mirëpo, ai tha se nuk ka kurrfarë rreziku, me inkurajoi dhe më dha dritën jeshile për ta bërë atë”, thotë ajo.
Pavarësisht se ka 12 tituj kampioni kombëtar në Belgjikë, Boumkwo nuk ka marrë kurrë më parë kaq shumë admirim dhe përkrahje pasi kishte konkurruar në një ngjarje. Turma e mbështeti fuqishëm ndërsa ajo vrapoi drejt vijës së finishit, ndërsa atletët e tjerë të Belgjikës e duartrokitën. Ndërkohë, në internet Boumkwo është përmbytur nga mesazhet pozitive, të cilat po vazhdon t’i marrë ende.
“Jam shumë i lumtur që kjo garë simbolizonte diçka – shpirtin e ekipit – dhe që njerëzit nga situatat e ndryshme – profesionistë, joprofesionistë, njerëz që nuk merren me sport e shohin vrapimin tim si diçka pozitiv. Nuk kam qenë kurrë kaq e famshme më parë dhe është vërtet çmenduri”, pranoi Bomkwo.
Edhe
Pse rekordi në 800 metra vrapim për atlete mbetet i paarritshëm?
Në të vërtetë, ky mund të jetë një nga rastet më të paharrueshme të karrierës së saj në atletikë.
“Kam marrë shumë mesazhe të bukura dhe përkrahëse, është e pabesueshme”, tha Boumkwo. “Jam vërtet e befasuar. Shpresoj që të mund ta shijoj akoma këtë moment edhe për një kohë të gjatë”.