Sport

Han Kwang-Son, futbollisti veri-korean që nuk ka të drejtë të transferohet në Premier League

Ish-sulmuesi i Juventusit, Han Kwang-Song dikur vlerësohej si një nga sulmuesit më premtues në futbollin italian.

Sulmuesi 21-vjeçar, që është pjesë qendrore e planeve të Kim Jong-unit, që Korea e Veriut të bëhet fuqi në futbollin botëror, iu bashkua klubit nga Katari, Al-Duhail në janar pasi nuk regjistroi asnjë ndeshje zyrtare me Juventusin, shkruan “The Sun”.

Juventusi e kishte transferuar futbollistin nga Cagliari për 3.5 milionë euro, por ai kurrë nuk luajti ndeshje me skuadrën e parë dhe qëndroi vetëm dy herë në bankinë.

Shumicën e kohës luajti te U-23 i Juventusit, në kategorinë e tretë të Italisë, ku dështoi të shënonte në 17 paraqitje.

Han së pari erdhi në Evropë te Cagliari dhe u bë lojtari i parë nga Korea e Veriut që ka luajtur dhe shënuar në Serie A.

I lindur në Pyongyang, sulmuesi u regjistrua në një akademi të futbollit në Barcelonë, para se të kthehej në vendlindje te klubi FC Chobyong.

Ai më pas impresionoi në Botërorin U-17 në Kili në vitin 2015, dhe senatori italian Antonio Razzi, shok i mirë i Kim Jong-unit, e ftoi Hanin t’i bashkohet akademisë “ISM” në Itali.

Pasi depërtoi nëpër kategori të reja te Cagliari, Han u huazua te Perugia, ku impresionoi. Ai u ftua në emisionin sportiv “La Domenica Sportiva”.

Ylli po priste në hotelin e tij në Milano për t’u marrë për në studio, kur qeveria e Pyongyangyut bllokoi këtë paraqitje nëpërmjet një telefonate, kishte raportuar “La Stampa”.

“Një telefonatë erdhi nga një ministër dhe bllokoi çdo gjë. Negocimi ishte i pamundur pasi Pyongyang donte të fliste vetëm me Hanin. Situata me qeverinë e tyre është bërë edhe më e ashpër dhe futbollistët e kanë të ndaluar të paraqiten në televizion, përndryshe do të përndiqen. Han është i frikësuar”, kishte thënë presidenti i Perugias, Massimiliano Santopadre.

“Mundo Deportivo” kishte raportuar se Kim Jong-un është si figurë atërore për Hanin dhe gjithmonë ka dashur të kontrollojë çdo gjë, përfshirë edhe karrierën e të riut.

Diktatori veri-korean është thënë se është një adhurues i Serie A dhe se vazhdon të përcjellë përparimin e sulmuesit.

Arsenali, Evertoni e Liverpooli ishin interesuar dikur për transferimin e Hanit, por qeveria britanike do të kishte bllokuar çdo lëvizje të tij në Premier League.

Eksperti i sportit veri-korean, Udo Merkel, ka thënë se kjo do të kishte ndodhur pasi një pjesë e pagës së Hanit duhet të dërgohet në Kore të Veriut, sipas ligjit.

“Sipas sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, dërgimi i parasë te qeveria veri-koreane do të konsiderohej si përkrahje për programin nuklear të këtij vendi. Kështu që nuk besoj, se me situatën me sanksionet e Kombeve të Bashkuara dhe disa rezolutave që ndalojnë tregtinë me këtë vend, do të ishte e mundur kjo. Kjo lëvizje nuk do të ndodhë derisa sanksionet të jenë në fuqi”, kishte thënë ligjëruesi në Universitetin e Brightonit për “Daily Star”.

I pyetur nëse qeveria britanike do të bllokonte këtë lëvizje, ai tha: “Mendoj se ky do të ishte skenari më i mundshëm”.

Tash në Katar, Han shpreson të udhëheq vendin e tij drejt paraqitjes së tretë në një Kupë të Botës. Botërori 2022 do të mbahet pikërisht në vendin ku gjendet aktualisht 21-vjeçari.